Ngjarje

Tani SHBA ka më shumë raste në botë, me 83.553 të infektuar, ia kalon Kinës dhe Italisë

Shtetet e Bashkuara tani kanë më shumë raste më koronavirus në botë me 83.553 infeksione dhe 1,205 vdekje. Shifrat e reja të publikuara të enjten tregojnë se SHBA ka kapërcyer Kinën dhe Italinë me numrin e rasteve të konfirmuara në pandeminë globale.
Italia është akoma vendi më i goditur për sa i përket vdekjeve me më shumë se 8000 viktima. Kina, ku filloi pandemia në dhjetor, ka regjistruar më shumë se 3000 vdekje.
Numri i infeksioneve me koronavirus tani ka arritur në gjysmë milionë në të gjithë botën.
Shifrat publikohen pasi Organizata Botërore e Shëndetit këtë javë parashikoi një perspektivë të zymtë për SHBA, duke thënë se vendi do të bëhej shpejt epiqendra globale e pandemisë së Covid-19, duke pasur parasysh përshpejtimin shumë të madh të infeksioneve të konfirmuara.

LEXO EDHE:
SHBA-ja, epiqendra e ardhshme e pandemisë
Si do t’i shpërndajë SHBA 2 trilionë dollarët për koronavirusin

Ndërkaq Presidenti Donald Trump u përpoq të lehtësonte përsëri shqetësimet e publikut për pasojat financiare dhe ekonomike nga koronavirusi. Duke folur në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ai përsëriti se “ne jemi duke u kujdesur për njerëzit tanë”. Trump përsëriti shqetësimet e tij për pasojat e mundshme ekonomike nga njerëzit që nuk shkojnë dot në punë. “Çdo ditë që qëndrojmë jashtë aktivitetit ekonomik, e bën situatën më të vështirë për ta rikthyer gjendjen shpejt dhe njerëzit tanë nuk duan të qëndrojnë pa punë,” tha ai.

Nju Jorku të enjten regjistroi 100 vdekje nga koronavirusi në vetëm 24 orë, duke e çuar numrin e të vdekurve në këtë shtet në 385, ndërsa në të gjithë Amerikën në 1205 viktima.
Nju Jorku konsiderohet epiqendra e shpërthimit të SHBA me 50 përqind të rasteve të konfirmuara totale të vendit, apo më shumë se 37,000 infeksione.
Luiziana tani po shfaqet si epiqendra tjetër e mundshme e shpërthimit të SHBA pasi infeksionet u rritën atje me 30 përqind në 24 orë. Ky shtet regjistroi 2,305 infeksione dhe 83 vdekje deri të enjten. Nju Xhersi ka 6.876 raste të konfirmuara dhe 81 vdekje, ndërsa Kalifornia ka 3.899 raste dhe 81 vdekje. Shteti i Uashingtonit, i cili fillimisht ishte epiqendra pas një shpërthimi në një shtëpi pleqsh në Seattle, tani ka 3,207 raste të konfirmuara dhe 150 vdekje.

Shifrat e reja konfirmohen ndërkohë që hulumtimet e epidemiologëve treguan se shpërthimi mund të çojë në më shumë se 80,000 vdekje në SHBA brenda katër muajve të ardhshëm, duke vënë kështu përfund kapacitetet spitalore në nivel kombëtar diku në fillim të prillit, pavarësisht nëse respektohen apo jo masat për distancim social.
Ekspertët në Institutin e Metrikës dhe Vlerësimit të Shëndetit (IHME) në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit kanë parashikuar që gjatë pikut të epidemisë - të parashikuar diku në javën e dytë të prillit - rreth 2.300 pacientë mund të vdesin çdo ditë. Kjo shifër do të jetë edhe nëse popullata do të respektojë masa të rrepta distancimi sociale.
Parashikimet e tyre erdhën pas analizimit të të dhënave më të fundit të Covid-19, përfshirë këtu shtrimin në spital dhe vdekshmërinë, si dhe të dhënat e pacientit për sa i përket moshës, gjinisë dhe problemeve të mëparshme shëndetësore.

Analiza paralajmëroi se bazuar në trendet aktuale, kërkesa për shtretër dhe ventilatorë do të tejkalonte kapacitetin për pacientët Covid-19 qysh në javën e dytë të prillit.
Qendra e kongreseve të Nju Jorkut tani po shndërrohet në një spital të përkohshëm, ndërsa një morg i improvizuar u ngrit jashtë Spitalit të Bellevue të Manhatanit të mërkurën për të përballuar një rritje të mundshme të viktimave.
Zyrtarët e shëndetit publik në Nju Jork kanë ristrukturuar infrastrukturën e shtretërve spitalorë dhe pajisjeve mjekësore, ndërsa bënë thirrje për më shumë mjekë dhe infermierë nga frika se numri i të sëmurëve do të shpërthejë për pak javë, duke mposhtur kapacitetet spitalore siç ka ndodhur në Itali dhe Spanjë.
Në një këndvështrim të asaj çka mund ta presë Amerikën, Spanja tashmë ka shndërruar hotelet në spitale të improvizuara dhe ka kthyer një shesh patinazhi në Madrid në një morg të përkohshëm. Kurba e infeksioneve nuk është ngadalësuar në Spanjë, e cila tani ka më shumë se 4100 vdekje, duke u renditur e dyta pas Italisë për numrin e vdekjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë