Para

Si do t’i shpërndajë SHBA 2 trilionë dollarët për koronavirusin

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan shpjegoi këtë të enjte sesi do të ndahet torta prej 2 trilionë dollarësh, që pritet të miratohet brenda kësaj jave.

Nancy Pelosi doli në një konferencë për shtyp duke deklaruar se 150 miliardë dollarë do të injektohen drejpërdrejtë në financimin e spitaleve, kërkimit për një kurë, trajtimi i të sëmurëve dhe pjesët e tjera të sistemit shëndetësor.

Përqëndrimi më i madh i kësaj shume do të jetë tek testimi, materialet mbrojtëse dhe aparaturat mjekësore, si respiratorët për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që do të preken nga koronavirusi.

“Testime! Testime! Testime! Maska! Maska! Mask! Ventilatorë! Ventilatorë! Ventilatorë! Duhet të garantohet që testimet do të jenë falas dhe po falas edhe vizitat dhe trajtimi i pacientëve të prekur nga koronavirusi. Kjo është një çështje për sigurinë kombëtare”, deklaroi demokratja, Nancy Pelosi.

150 miliardë dollarë të tjera do t’u shpërndahen qeverive dhe autoriteteve vendore si kompensim i mungesës së të ardhurave nga taksat vendore që ka pasuar periudhën e izolimit.

350 miliardë dollarë është fondi që do t’i vihet në dispozicion biznesit të vogël për të shlyer faturat, që nga qiratë, pagesat e punonjësve, e deri tek kreditë.

Pjesa tjetër e parave do të shkojë në xhepat e kompanive të mëdha, me kusht që këto të fundit ta shpërndarje drejtpërdrejtë në llogaritë e punonjësve të tyre. Sipas përllogarive të kryera janë me miliona amerikanë që do të përfitojnë mesatarisht rreth 1200 dollarë para në llogaritë e tyre bankare si pjesë e këtij stimuli.

Nancy Pelosi tha se shpreson që paketa, më e madhja në histori që lëvron ndonjëherë SHBA, të kalojë në Kongres me pëlqimin e të gjitha palëve, duke aktivizuar normën e rregullores që parashikon se nuk është e nevojshme mbledhja e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ngritja e kartonit për këtë paketë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë