Bota

Tampon ose certifikatë vaksinimi, Mali i Zi shtrëngon kufizimet

Edhe pse ishte ndër vendet para që u hap për turistët, Mal ti Zi ka fuqizuar sot masat kufizuese, duke u kërkuar turisteve përpara udhëtimit në vendin fqinj të kenë një tampon ose nëj certifikatë vaksinimi që vërteton se kanë bërë të paktën një dozë vaksinimi.

Edhe pse tamponi ose certifikata nuk do të kërkohen në kufi, qytetarët që nuk kanë imunitet ose që nuk vërtetojnë se janë negativ nuk do të lejohen të hyjnë në hotele.

“Nga 2 gushti, qëndrimi në ambiente të brendshme në hotele do të lejohet vetëm për qytetarët që kanë test negativ, konfirmim se janë vaksinuar me së paku dozën e parë të vaksinës ose dëshmi se janë shëruar nga koronavirusi”, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Igor Gallic.

Po ashtu duke nisur nga sot deri më 2 gusht, në vendin fqinj klubet e natës dhe diskotekat do të qëndrojnë të mbyllura.

Vendimi u mor për shkak të rritjes së  numrit të rasteve me koronavirus. Qeveria e vendit fqinj ka ndaluar po ashtu edhe festivalet e muzikës, si dhe çdo tubim masiv në ambiente të mbyllura.

Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi tha se masat janë ashpërsuar për shkak të mosrespektimit të tyre, veçanërisht në qytetet bregdetare.

Sipas të dhënave të fundit, në Mal të Zi janë 480 raste aktive me koronavirus,136 prej tyre në qytetin turistik të Budvës.

Sipas të dhënave të Organizatës Kombëtare të Turizmit, në qytetet në bregdet dhe në veri të Malit të Zi aktualisht ndodhen rreth 110 mijë turistë, 80 për qind më shumë se në vitin 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë