Futboll

Talenti turk Arda Guler fshin lotët e së ëmës gjatë prezantimit te Real Madrid

Arda Guler është prezantuar sot zyrtarisht si lojtari i ri i Real Madridit. Por teksa Florentino Perez po mbante një fjalim për talentin turk, nëna e tij shpërtheu në lot.

Sigurisht, ata ishin lot gëzimi dhe krenarie për djalin e saj që tashmë është pjesë e klubit më të trofeshëm në historinë e futbollit.

18-vjeçari e ndihmoi të ëmën të fshinte lotët dhe e puthi në faqe. Babai i Ardas kapi dorën e së shoqes për t’i dhënë mbështetje gjithashtu.

Skena tepër prekëse tashmë është bërë virale në rrjetet sociale.

Gjatë prezantimit, Guler ka folur për shumë gjëra që e kanë lidhur dhe e lidhin në karrierë.

“Dua të kujtoj Di Stefanon, para së gjithash. Ky është klubi më i madh në botë dhe ndihem krenar”, ka thënë fillimisht Guler në konferencën për shtyp.

“Real Madrid apo Barcelona? Kishte shumë oferta, por prioriteti im ka qenë gjithmonë Reali i Madridit”.

“Unë luaj mirë në mesfushë dhe në krah të djathtë të sulmit. Më pëlqejnë të dyja pozicionet. Më pëlqen të krijoj, por edhe të jem sulmues. Ku luaj unë, është vendimi i trajnerit”.

“Ndihem gati, jam i përgatitur. Vij për të punuar, për të dhënë gjithçka. E përjashtoj mundësinë e huazimit. Dua të qëndroj në Madrid”.

“Idhulli im te Real? Cristiano, Zidane Ozil, Guti… Unë dua të jem një legjendë si ata. Dhe kam ardhur këtu për këtë gjë”. /telegraf


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë