Motosport

Talent i kristaltë- Hamilton pa kufij

Një titull më shumë se Juan Manuel Fangio dhe një më pak se Mikael Shumaker. Titulli i 6-të kampion bote në Formula 1 e projekton Luis Hamiltonin në një territor ekskluziv. Anglezi tashmë është një pilot i madh, me përspektivën që në 2020-ën të arrijë mitin Shumaker në kuotën e 7 titujve dhe 91 fitoreve. Pilotit të Mercedesit i duhen edhe 8 fitore dhe nga kampionati aktual kanë mbetur edhe dy gara, Interlagos dhe Abu Dhabi. Hamilton regjistron 87 “pole position” dhe ky është një rekord absolut që vetë anglezi mund ta thellojë. Nga numrat është e thjeshtë të evidentohet mjeshtëria e kampionit 34-vjeçar që është në kulmin e pjekurisë teknike dhe fizike.

Hamilton feston titullin e 6-të kampion bote. Gazeta Si, 4 nëntor 2019

Toto Volf, i cili e njeh më mirë se kushdo tjetër, vitet e fundit shpesh i ka thutur elozhe të tipit: “Besoj se ndonjëherë është e vështirë të kuptosh madhështinë e këtij piloti të jashtëzakonshëm". Është një përgjigje sa herë që Volfit i kërkojnë të krahasojë Luisin me kampionët e tjerë të mëdhenj të së kaluarës. Luis është unik dhe ata që e shohin nga afër çdo fundjavë, për të përshkruar madhështinë e tij, shprehen se ai do t’i shijojë këto triumfe kur të mos garojë më.

Formula 1 moderne nuk është aq e thjeshtë dhe janë qindra persona që punojnë me pilotin e Mercedesit. Prej tyre shpesh thuhet për Hamiltonin se "është në gjendje të marrë më të mirën nga makina njëvendshe". Luis Hamilton në këtë moment është finalizuesi më i mirë, e ndihmon skuadrën të jetë aty ku duhet brenda një fundjave, shfrytëzon çdo mundësi dhe është i jashëtzkaonshëm në xhirot e shpejta, është magjik në administrimin e gomave, një detaj që në Formula 1 është përcaktues në rezultatin final të një gare. Në Hungari fitoi një garë që dukej e sigurt në duart e Vershtapenit. Duket një banalitet, por Hamilton është i shpejtë atëherë kur duhet.

Luis Hamilton, i apsionuar pas modës. Gazeta Si, 4 nëntor 2019

Sekretet e tij i njohin vetëm inxhinierët. Një nga sekretet e Hamiltonit është personaliteti i spikatur jashtë piste. Ai nuk jeton vetëm me Formulën 1. Pak orë pasi ka përfunduar garën mund ta gjesh në anën tjetë të botës, në një parti në Londër, në një sfilatë mode në Amerikë, në një koncert, në një ring të bëjë boks, në një tavolinë sërfi, në alpe duke bërë çiklizëm. Sapo ka inauguruar një rrjet “fast food”-esh për vegjetarianë. Jeton me çdo eksperiencë, shëtit me monopatinë dhe kur të heqë dorë nga garat e ka bërë të qartë se do të hyjë në botën e modës. Hamilton sheh përtej sportit, një killer në pistë që i pëlqen të jetojë çdo moment.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë