Njerez

Talebanët i prishin ëndrrën, Myrtezai ka sërish nevojë për Leo Mesin

Një histori futbolli dhe lufte. Myrtezai i vogël është detyruar t’ia mbathë nga qyteti i tij, për shkak të luftës. Në shtëpinë e tij kishin mbetur fanella dhe topi që Lionel Mesi i kishte bërë dhuratë, tashmë në dorë të luftëtarëve. Djaloshi i vogël afgan ëndërron t’i ketë sërish dhe për këtë i duhet ndihma e argjentinasit.

Myrtezai u bë i famshëm për foton që u bë virale në rrjetet sociale dhe që preku zemrat e të gjithëve, edhe atë të yllit argjentinas, i cili e bëri të lumtur djaloshin. Por tashmë kjo histori ka hapur një kapitull të ri dhe të trishtë, të publikuar nga “Clarin”. Djali që takoi “pleshtin” në vitin 2016, ka lënë shtëpinë e tij në Jaghori, në provincën e Ghaznit, pas sulmeve të talebanëve. Familja e tij, për të evituar pasojat më të këqija nga bombardimet, ka lëvizur me shpejtësi dhe ka lënë gjithçka në shtëpinë e braktisur.

https://twitter.com/FCBarcelona_es/status/808738378896134144
Momenti kur Lionel Mesi takoi Myrtezain e vogël

Gjithkush mund ta kuptojë se si ndihet një fëmijë 7-vjeçar, kur humb fanellën dhe topin e dhuruar nga Mesi. Myrtezai, siç shkruan tabloidi, e kujton mes lotësh momentin kur la shtëpinë dhe sendet më të çmuara. “Fanella dhe topi mbetën në Jaghori, nuk arritëm t’i merrnim, sepse ikëm nga shtëpia natën dhe nëna më tha t’i lija sendet e mia”, - tregon djaloshi. Familja e tij u detyrua t’ia mbathë natën edhe për shkak të frikës nga bashkëqytetarët, sepse takimi me Mesin, në një farë mënyrë, e ka dëmtuar. Duket e pabesueshme, por në kohë lufte ndodh gjithçka.

“Pasi Mesi takoi Myrtezain, situata u bë më e komplikuar për ne dhe kemi jetuar gjithmonë me frikë, sepse njerëzit rreth nesh mendonin se lojtari i njohur na ka dhënë edhe një thes me para, - tregon vëllai i madh i Myrtezait, Humayon Ahmadi. - Për këtë, kemi pasur shumë frikë se do ta rrëmbenin dhe nuk e kemi çuar në shkollë për dy vjet”. Ai ka zbuluar edhe një premtim të Mesit për Myrtezain: “Kur të jetë pak më i rritur, do ta ndihmojë përsëri”. Ndoshta do t’i mjaftojë një fanellë dhe një top tjetër. Mesi ka treguar se e mban fjalën.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë