Taksa

Taksimi shtesë i prodhuesve të energjisë me 50%, qeveria: Kontribut! Braçe: Të futen dhe kompanitë e naftës

Nga Gazeta ‘Si’ - “Taksa” e fitimit shtesë të prodhuesve të energjisë në vend, ka krijuar debatin e radhës në Komisioni e sotshëm (20 dhjetor) të Ekonomisë. Në komision po shqyrtohej ligji për fitimet ekstra të prodhuesve të energjisë, të rritura si pasojë e çmimeve në bursë, që qeveria e përcakton si kontribut dhe jo taksë.  

Deputeti socialist, Erion Braçe dhe ajo demokrate, Jorida Tabaku kërkuan përfshirjen në një skemë të tillë, edhe kompanitë e naftës, çimentos dhe hekurit, pasi edhe ato kanë përfituar nga çmimet e rritura nga situata gjeopolitike në Europë.

“A do ta çoni deri në fund këtë ligjin? Se qeveria e nis dhe tërhiqet pas disa ditësh. Ne jemi prodhues nafte, bruto, nafta është impaktuar nga situata, në të njëjtën llogjikë a nuk duhet që edhe ato t’i nënshtrohen këtij ligji? Ne jemi prodhues dhe të hekurit, dhe ato janë rritur, a nuk duhet të përfshihen dhe operatorët e hekurit, çimentos, që janë  edhe eksportues madje”,- pyeti Braçe.

Fillimisht prezantimin e ligjit e bëri Enea Karakaçi, Drejtor për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë, i cili qartësoi se kjo masë nuk është taksë, por është kontribut i detyrueshëm për prodhuesit e energjisë në treg të lirë.

“Gjatë krizës, prodhuesit kanë përfituar disa të ardhura shtesë, pa meritokraci, por për shkak të rritjes së çmimit në bursë. Këto fitime do të merren dhe do të shpërndahen për bizneset, qytetarët, shtresat në nevojë etj. Derdhet dhe shpërndarjet do të bëhen në mënyrë në mënyrë transparente. Ligji do të jetë i përkohshëm, deri më datë 31 dhjetor 2024, ose deri kur të jetë çmimi nën 180 euro/mwh(caktuar nga KE)”, -tha Karakaçi.

Ai sqaroi se operatorët do të japin 50% të të ardhurave shtesë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të shitura mbi 8.5 lekë/Kwh, çmimi i HEC-eve të vogla me të cilin i shesin energji OSHEE-së.

Më pas, zv.ministri i Energjisë, Ilir Bejtja tha se janë tre operatorë të mëdhenj që i prek kjo masa, Statkraft, Kurum dhe Ayen Energy.

“Ne kemi parashikuar të ardhura deri në 8 mld lekë, por varet si shkojnë parashikimet. Ato nuk shkojnë në buxhet, por në një llogari të dedikuar. Nuk është tatim, por kontribut dhe i zbritshëm para tatimit. Ky kontribut prapaguhet dhe nuk parapaguhet. Nuk mund ta trajtojmë si tatim-fitimi dhe nuk alokohet si e ardhur tatimore, por përdorimi i tij përcaktohet me vendim qeverie”, -sqaroi zv.ministri.

Bejtja tha se nafta nuk mund të përfshihet në një skemë të tillë sepse ne nuk jemi prodhues të saj dhe se kompanitë nuk kanë pasur fitime ekstra, pasi qeveria i ka vendosur marzhe. 2.7 lekë për pikat e vogla dhe 12.3 lekë për shitësit e mëdhenj.

Këtë konstatim të zv.ministrit e kundërshtoi deputeti Braçe, duke thënë se nuk janë shifra reale dhe se do vazhdojnë të manipulohen për sa kohë tregu funksionin në këtë mënyrë.

“Ia kemi bërë favoret të gjithëve, operatorëve të karburantit e metaleve, favore fiskale. Nuk mund të konsumojnë më favore. Bëni të njëjtën gjë edhe për këto, le të sjellin të ardhura në buxhet se nuk kanë sjellë kurrë. Për naftën është faji i tregut që kemi. Nafta nuk blihet sot për nesër, siç ndodh në Shqipëri. Blihet 1 vit në avancë. Dhe me çfarë kuptoj unë, s’do kthehemi më kurrë tek çmimet e mëparshme. S’keni faj ju që mendoni se keni ato marzhe fitimi se keni këtë model tregu”, -tha Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë