Taksa

Taksa mbi dividentin, ndryshon marrëveshja me Kosovën

Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet në marrëveshjen e nënshkruar në 2014 mes Shqipërisë dhe Kosovës për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Propozimi është bërë nga Ministria e Financave me kërkesë të palës kosovare.

Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave thotë se ndryshimet synojnë qartësimin e taksës së dividentit, duke përcaktuar dy nivele të saj, 5 dhe 8 për qind me kushtin që kompanitë të kenë seli të përhershme në të dyja vendet.

“Së pari u përcaktua dhe u nda e drejta e taksës mbi dividentin në rastin e selive të përhershme në dy vendet. Fitimet me burim në Shqipëri vendoset tatim mbi dividentin në masën 5 dhe 8 përqind në varësi të zotërimit të kompanisë nën, apo mbi 25 për qind të aksioneve”, deklaroi drejtori i Politikave Makroekonomike dhe Çështjeve Fiskale në Ministrinë e Financave, Nikolla Lera.

Lera tha gjithashtu se ndryshimet e tjera në këtë marrëveshje lidhen me saktësimin mbi të ardhurat nga pronësia intelektuale dhe përshtatje e tyre me ndryshimet e bëra nga Bashkimi Europian dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë