Taksa

“Taksa 100% ndaj Serbisë rriti kontrabandën, asnjë ndikim tek të ardhurat”

Taksa 100 për qind ndaj prodhimeve serbe dhe atyre boshnjake rezultoi të mos kishte fare ndikim në të ardhurat e Doganës së Kosovës. Por kjo taksë ka ndikuar dukshëm në rritjen e kontrabandës së mallrave nga këto dy shtete. Kështu thotë kreu i doganës së Kosovës, Bahri Berisha.

Bahri Berisha, kreu i doganës së Kosovës

Drejtori Berisha në një intervistë është shprehur se vetëm gjatë këtij viti kanë zbuluar rreth 350 raste të kontrabandimit të mallrave serbe dhe boshnjake, të cilat kapin shumën prej 10 milionë eurove.

“Vetëm efekti direkt, ndërsa efekti indirekt është shumë më i lartë sepse ke arritur të parandalosh shumë aktivitete kontrabanduese që në një farë mënyre e ka legalizuar edhe importin në anën tjetër të rregullt”, thotë ai.

Interesi i grupeve kriminale rezulton të jetë në ato produkte që sjellin potencialisht fitim të madh, prandaj ato synojnë të kontrabandojnë produkte me akcizë.
“Këtë vit kemi pasur diku rreth 20 milionë stok cigare të konfiskuara që janë kontrabanduar. Kemi pasur mbi 7 tonë duhan. Por ajo që ka filluar të jetë më e shprehur si mall i kontrabanduar është edhe duhani në argjilë, pasi vërejmë që janë hapur edhe shumë lokale. Por kemi edhe produkte të tjera, kemi pasur shumë kilogramë të konfiskuar narkotikë. Kemi pasur armë, municion. Edhe produkte të falsifikuara. Kemi konfiskuar rreth 2 milionë vlerë të këtyre mallrave dhe që janë shkatërruar”, ka thënë Berisha.

Për të një rëndësi të veçantë ka parandalimi i kontrabandës së barnave, që përveç efekteve ekonomike, ka edhe efekte shëndetësore.

“Rëndësi të posaçme i japim edhe kontrabandimit të barnave sepse është një produkt i cili ka një kosto të lartë dhe sjellë një përfitim po ashtu të lartë përmes rrugëve kriminale, por edhe dëmton shëndetin publik. Këtë vit kemi rreth 10 mijë copë paketime të ndryshme që kemi zbuluar kontrabandë përmes rrugëve malore që janë futur në Kosovë”, është shprehur kreu i doganës së Kosovës.

Ai ka thënë se çdo ndryshim i politikave fiskale dhe vendosje të taksave të ndryshme ndikojnë në aktivizimin e grupeve kriminale.

Por, sipas tij janë të mobilizuar që të ulin sa më shumë këtë dukuri, pasi për Berishën asnjëherë dhe në asnjë vend kontrabanda nuk mund të ndalet 100 për qind.
“Zakonisht kur ka ndryshim të politikave fiskale apo vendosjen e ndonjë mase mbrojtëse grupet kriminale aktivizohen më shumë dhe tentojnë t’i kontrabandojnë ato produkte të cilat potencialisht sjellin një përfitim më të lartë për ta. Mirëpo falë një riorganizimi që kemi pasur ne si doganë menjëherë pas vendosjes së masave mbrojtëse, sepse është vlerësuar me një rrezikshmëri të lartë kontrabandimi i mallrave nga këto dy vende. Bashkëpunimi me institucionet tjera zbatuese të ligjit në Kosovë kemi arritur të parandalojmë dhe të kemi një kontroll bukur të mirë”.-është shprehur ai.

Sipas Berishës, mallrat serbe dhe ato boshnjake janë zëvendësuar nga vendet e rajonit, por edhe të BE-së dhe se nuk është vërejtur mungesa e tyre.

”Kryesisht ne jemi një shoqëri që varemi nga importi dhe nga konsumi, Këto produkte nga Serbia dhe Bosnja pas vendosjes së masës mbrojtëse 100 për qind ka filluar të zëvendësohet nga vendet e tjera. Do të thotë se nuk do të ketë ndonjë ndikim në të ardhurat doganore, qoftë pozitiv apo negativ, sepse në vitin 2019 produktet të cilat kanë ardhur nga këto dy vende janë zëvendësuar nga vende të tjera të regjionit apo nga vendet e tjera të Europës Juglindore apo të BE-së. Dhe ky kompensim kryesisht është bërë nga Gjermani, Bullgaria, Hungaria, Maqedonia, Shqipëria, por edhe vendet e tjera të BE-së”.

Qeveria e Kosovës më 21 nëntor të vitit 2018 vendosi taksën prej 100 për qind ndaj prodhimeve serbe, si kundërpërgjigje për politikën agresive të qeverisë së Serbisë kundër vendit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë