Kosova

Takimi Kurti-Vuçiç nis mëngjesin e së enjtes. BE publikon agjendën

Nga Gazeta 'Si' - Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se takimet e diplomatëve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, do të nisin të enjten që prej orës 09:00.

Diplomatët fillimisht do takohen ndaras me liderët e dy vendeve, e më vonë pritet të mbahet një takim trepalësh, mes Kurtit, Vuçiçit dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në këtë takim pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt, dhe më pas për çështjet aktuale.

Takimi i 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiçit është i pari prej kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.

Tensionet janë rritur pasi banorët serbë në këto komuna nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që ata i kanë bojkotuar – dhe e kanë refuzuar hyrjen e kryetarëve nëpër ndërtesa komunale.

Situate me raste është përshkallëzuar në dhunë.

Në takimin e 14 shtatorit pritet të diskutohet për këto tensione dhe gjetjen e rrugës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok.

Hera e fundit kur dy liderët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut, ka qenë 2 maji.

Një ditë më parë, Kurti ka thënë se ka biseduar lidhur me takimin së enjtes, me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë