Politike

Takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator.

Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Twitter, por nuk dha hollësi të tjera.

Në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

“Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, shkroi ai në llogarinë e tij në facebook.

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, i bëri jehonë ftesës për për vazhdimin e bisedimeve.

“Faleminderit që siguroheni se shtetet e lira dhe demokratike gjithmonë mund të llogarisin në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, shkroi ajo.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell ishte planifikuar fillimisht për më 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Zoti Grenell tha më pas se takimi do të bëhej në një datë të ardhme.

Ndërkohë, më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet në shtator. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë