Politike

Dialogu me Serbinë, Kurti: Po përdoret nga Trump për fushatë elektorale

Albin Kurti thotë se vijimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë, dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shqetësues. Kreu i Vetëvendosjes rendit një sërë arsyesh se përse.

Së pari, Kurti thotë se mungon besueshmëria dhe transparenca.

“Ideja e shkëmbimit të territorit është mohuar vazhdimisht, por ajo u provua si e vërtetë nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, që tha sse ideja u shtrua nga dy Presidentët, Thaçi dhe Vuçiç. Kjo dëmtoi besimin tek procesi i negociatave”, deklaron ish-Kryeministri i Kosovës.

Së dyti, Kurti nënkupton se aktorëve amerikanë ndërmjetësues në këto bisedime u mungojnë njohuritë bazë të këtij procesi.

“Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, që nuk është as në konflikt, që të ketë nevojë për një marrëveshje paqeje dhe as ka status të pazgjidhur që të kërkojë bisedime. Këto pretendime janë të rreme”, vijon ai.

Arsyeja e tretë se përse procesi në Uashington duhet të shihet me rezerva, sipas ish-Kryeministrit të Kosovës është koha dhe qëllimi i tryezës. Kurti nënkupton se një nënshkrim i mundshëm i nxituar i një marrëveshjeje do të përdoret më shumë për ta shitur si sukses të politikës së jashtme të Donald Trump në prag të zgjedhjeve në SHBA, sesa për të zgjidhur realisht ndasitë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një marrëveshje që do të sillte normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve kërkon një proces të gjatë. Me zgjedhjet Presidenciale që mbahen në nëntor, është e qartë që qëllimi nuk është zgjidhja e këtyre çështjeve, por firma në fund të një marrëveshjeje”, deklaron Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes thotë se normalizimi i marrëdhënieve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë është i pashmangshëm, por procesi duhet të ndodhe përmes një dialogu të mirëpërgatitur.

“Lidhja dhe besnikëria e Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara mbetet e pathyeshme, por marrëveshje të sforcuara për hir të një fushate elektorale janë të gabuara”, deklaron Albin Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë