Bota

Tajvani detekton avionë luftarakë të Kinës

Më 20 prill, në një periudhë prej tre orësh, përreth ishullit të Tajvanit u detektuan dhjetëra avionë luftarakë kinezë, tha Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.

Avionët u detektuan vetëm një muaj para se ishulli vetëqeverisës, më 20 maj, të zhvillojë ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Lai Ching-te.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe ka thënë se asnjëherë nuk do të përjashtojë mundësinë që përmes forcës të marrë nën kontroll ishullin.

Tensionet mes dy palëve në Ngushticën e Tajvanit janë rritur që nga janari kur zëvendëspresidenti i atëhershëm Lai, që nga Pekini cilësohet si “separatist i rrezikshëm”, u zgjodh presidenti i ri i ishullit.

Ekspertët po ashtu kanë thënë se stërvitjet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Filipineve, që nisin të hënën, afër Detit Jugor Kinez – që Kina pretendon se është pjesë e saj – mund të nxisin Pekinin që të shfaqë forcën përreth Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes në Tajpei tha se të shtunën detektoi 21 avionë luftarakë kinezë përreth Tajvanit, përfshirë avionë luftarakë të llojit J-16, avionë transportues me rreze të mesme veprimi Y-8 dhe dronë.

“Shtatëmbëdhjetë avionë [nga 21 gjithsej] kaluan vijën e mesme, hynë në pjesën tonë veriore, qendrore dhe jugperëndimore [të zonës të mbrojtjes ajrore të identifikuar], së bashku me anijet që shërbejnë për patrullime luftarake”, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
Tajvani tha se forcat e tij po monitorojnë të gjitha aktivitetet përreth ishullit të ushtrisë kineze.

L


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë