Ne rrjet

Taj Mahal shpallet ndërtesa më e bukur në botë

Nga Gazeta “SI”– Në një botë ku arkitektura shpesh përpiqet të tejkalojë vetveten, janë disa ndërtesa që të lënë thjesht pa fjalë . Kjo është pikërisht ajo që bën Taj Mahali në Agra, një monument që sfidon kohën dhe kategoritë estetike.

Revista prestigjioze “Time Out” ka publikuar së fundmi një listë me 24 ndërtesat më të mrekullueshme në planet, duke përfshirë struktura që variojnë nga katedralet evropiane te qendrat bashkëkohore të komunitetit në Afrikë dhe faltoret mahnitëse në Oqeani. Mes emrave të njohur si Sagrada Familia në Barcelonë dhe Biblioteka e Trinity College në Dublin, vendin e parë e zë pikërisht Taj Mahal.


Taj Mahali është një strukturë mahnitëse prej mermeri të bardhë. Ish-perandori mogul Shah Jahan e ndërtoi këtë mauzole në kujtim të gruas së tij , Mumtaz Mahal, e cila vdiq në lindje të fëmijës së tyre të 14-të. Legjenda thotë se pikëllimi i tij ishte aq i thellë, saqë ai urdhëroi ndërtimin e asaj që do të bëhej një nga ndërtesat më të bukura që ka njohur njerëzimi.


Punimet për Taj Mahal nisën në vitin 1632 dhe përfunduan në 1653, pas 22 vitesh ndërtim dhe përfshirjes së mijëra artizanëve. Arkitektura e tij është një ndërthurje e stilit persian, turk dhe indian, dhe çdo detaj i saj nga kupolat elegante te kaligrafitë e murit dëshmon për një vizion të jashtëzakonshëm artistik

Poeti britanik Sir Edwin Arnold e përshkroi dikur Taj Mahalin jo si një ndërtesë, “por si pasionin krenar të dashurisë së një perandori, i farkëtuar në gurë të gjallë”.

Sot, Taj Mahal është kryevepra më përfaqësuese e arkitekturës indo-islamike, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një nga destinacionet më të vizituara në botë, me 7 deri në 8 milionë turistë çdo vit.

Në një listë ku bashkëjetojnë muze të teknologjisë së lartë në Nju Jork dhe struktura futuriste në Zelandën e Re, Taj Mahali triumfon jo vetëm si arkitekturë, por si histori, emocion dhe kujtesë universale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë