Lajme

Tahiri, rekurs në Gjykatën e Lartë: Procesi nuk duhet të rinisë nga e para

Të hënën, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, iu drejtuan Gjykatës së Lartë.

Të dy ata i kërkojnë gjykatës që të prishë vendimin e Gjykatës të Apelit të Posaçëm dhe pushimin e çështjes së kthyer për rishqyrtim.

Për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri beteja me gjyqësorin nisi nga e para që në fund të muajit qershor.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda, aktualisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e  Organizuar dhe dërgimin e akteve në këtë gjykatë me një trup tjetër gjyqësore.

Pra, gjykata ktheu për rigjykim dosjen e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Një vendim ky që nuk u prit mirë nga Saimir Tahiri

Saimir Tahiri është shpallur fajtor për shpërdorim detyre, duke u dënuar me 3.5 vite burg e konvertuar në tre vjet shërbim prove, ndërsa Jaeld Çelen me 5 vite burg.

Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin.

Në vendimin e 26 qershorit për kthimin e dosjes në rigjykim, Apeli i Posaçëm argumentoi se Shkalla e Parë ka gabuar kur rikualifikoi akuzën për ta nga “trafik i narkotikëve” në formën e grupit kriminal në “shpërdorim të detyrës”.

Në 4 gusht, Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për lirim nga qelia të ish-shefit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Pasi çështja ndaj tij dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u kthye për rigjykim në Shkallën e Parë, Gjykata e Lartë ka shuar dëshirën e Çelës për të zbutur masën e sigurisë “arrest në burg”. Jaeld Çela qëndron në burg prej 16 majit, kur u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës pas më shumë se 2 vitesh qëndrimi në arrati. Gjatë arratisë ai u dënua nga Gjykata për Krimet e Rënda me 3 vjet e 4 muaj burg për “shpërdorim të detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë