Lajme

Tahiri lë mandatin e deputetit: Deri kur të zbardhet e vërteta do jem qytetar i thjeshtë

I

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dorëzoi të enjten e 3 majit, mandatin e deputetit. Në një konferencë për mediat Tahiri deklaroi se nuk do të jetë më deputet i parlamentit, deri kur të zbardhet e vërteta rreth akuzave ndaj tij për lidhje me trafikun e lëndëve narkotikeve dhe korrupsion. Ai u shpreh se nuk fshihet pas parlamentit, mandatit dhe imunitetit e aq me tepër të përfitojë prej tyre. “Nuk më duhet të më mbrojë askush dhe nga asgjë. Kam duruar 6 muaj, kam heshtur, se kam respektuar drejtësinë, jo për frikë, se nuk jam dorëzuar dhe nuk kam ndërmend ta bëj këtë gjë”, - tha Tahiri. Ish ministri kritikoi klasën politike që qeveris prej 25 vjetësh, se po i bën gjyqin publik.

Tahiri akuzoi ish Kryeministrin Berisha dhe kreun e PD, Basha se po fshihen pas murit të pandëshkueshmërisë. “Kanë kryer krime dhe nuk janë hetuar dhe gjykuar”.- tha ai. Tahiri nuk la pa përmendur kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi dhe Presidentin Ilir Meta “Nuk ka ujë të shenjtë që t’i heqë njollën që kanë”.

Tahiri në fjalën e tij iu drejtua edhe grupit të PS “Nëse ka një koleg që me fjalë dykuptimshme kthen gishtin nga unë i them e ka gabim”.

Ish ministri zbuloi se gjatë 6 muajve është përballur me “pazarxhinj”, ku dikush i sugjeronte, që të thoshte se ishte Edi Rama kreu i trafikut të drogës dhe kështu shpëtonte, ndërsa dikush tjetër që të heshtte. “Sot të gjithë këta pazarxhinj kanë dalë në treg dhe unë kam zgjedhur t’i vë përballë. Tani janë bërë të gjithë bashkë përballë meje dhe pushka top t’u bëhet, u them se do t’ia dal”- u shpreh Tahiri para gazetarëve. Tahiri shpërtheu në kritika edhe ndaj klasës së tij politike, në lidhje me emërimin e ish-kreut të SHISH ambasador, “Visho Ajazi i Saliut, për turpin e madh, i propozuar nga partia ime, sot ambasador”, ndërsa në lidhje me ministrin e Brendshmëm aktual, Fatmir Xhafaj, ai u shpreh “Pasardhësi im në detyrë me akuzat për policinë, ia kaloi edhe Saliut, edhe Lulit”.  Tahiri u shpreh edhe për ambasadorët e huaj në vendin tonë “ Ambasadorët këtu në Shqipëri bëjnë edhe prokurorin, edhe gjyqtarin, por nuk besoj se të huajt u cmendën sa të mos pyesin për drejtësi e ligj, por duan kurban njerëzish për të shkelur në Evropë”. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ish ministri u shpreh se është shumë i vogël për të penguar integrimin e Shqipërisë.  Në lidhje me punën e tij si ministër, Tahiri theksoi kritikat e tij. “Ta dini për statistikë, hapni shifrat e Guardia di Finanza, , në 4 vjet të qeverisë ku shërbeva edhe unë, t’i mbledhësh bashkë, kultivimi i hashashit është më pak sesa vetëm 1 vit i Sali Berishës kur ishte Kryeministër, por këtë nuk e thotë njeri, për fat të keq as deputetët e PS, as ministri i Brendshëm nuk e ka përmendur kurrë, as Kryeministri, dhe nuk e di pse”.

Fotografi ilustruese

Ish Kryeministri Sali Berisha reagoi menjëherë pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri. Në fjalën e tij jashtë sallës së seancave plenare, Berisha u shpreh se "flakja e Saimir Tahirit jashtë Parlamentit, ndërkohë që Rama flet ende në Kuvend, nuk sjell asgjë, por është thjesht dëshmi e forcës së krimit".

Ish-Kryeministri Sali Berisha 

Kryeministri Rama duke iu referuar deklaratave të opozitës, sipas së cilës  Gjermania ka thënë se Shqipëria nuk ka të ardhme pa arrestimin e Tahirit, nga foltorja e Kuvendit tha se në Bundestagun gjerman dëgjoi ato që ka dëgjuar në Shqipëri për 4 vite. Gjermania nuk mund të jetë burim budallallëqesh, si opozita e sotme, e cila eksporton kodra dhe male me baltë kundër Shqipërisë - deklaroi Rama para deputetëve të shumicës, pasi opozita bojkotoi Kuvendin kur ai mori fjalën.

What’s the best generics


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë