Politike

“Tahiri”, Bardhi: Rama hesht se ish-ministri e mban peng

Sekretari i Përgjithshë i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e gjykatës për dënimin me shërbim prove në 3,4 vite burg ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Për numrin dy të PD-së, vendimi ishte ajo çfarë paralajmëroi opozita prej kohësh se me çështjen Tahiri po luhej një teatër dhe se Edi Rama bëri të pamundur për të lehtësuar ish-ministrin.
“Në dy vjet Edi Rama ka bërë veprime konkrete në këtë drejtim. Nuk lejoi prokurorinë të arrestonte që në fillim Saimir Tahirin, duke mos i hequr imunitetin në parlament dhe duke i dhënë mundësi atij të prishë provat; Shkarkoi Prokurorin e Përgjithshëm, që kërkoi arrestimin e Tahirit dhe, nëpërmjet Arta Markut, largoi prokurorët e dosjes Tahiri; Ekstradoi në mënyrë të paligjshme financierin e bandës së Habiljave, duke i mbyllur gojën për paratë që banda kishte shpërndarë tek pushteti; Mbylli çështjen e Orest Sotës, mikut të Saimir Tahirit, në makinë e të cilit u gjetën 863 mijë euro në të njëjtën kohë, kur prokuroria bëri kontroll në shtëpinë e Saimir Tahirit dhe Ushtrojë presion mbi gjykatën për të mos dënuar dhe burgosur Saimir Tahirin, pas kërcënimit që ky i fundit i bëri me dosjet e korrupsionit dhe lidhjes me krimin”, deklaroi Bardhi.
Partia Demokratike thekson se ajo i ka paralajmëruar që në fillim shqiptarët për atë që e cilëson si teatrin që po luhej me çështjen e Saimir Tahirit dhe se ai do të dilte i paprekur, pavarësisht se siç shprehej gazeta gjermane Die Welt: “Tahiri është një nga ato raste që prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës.”
“Saimir Tahiri doli i paprekur nga drejtësia, sepse Edi Rama është peng i dosjeve të korrupsionit dhe i lidhjeve kriminale të tij dhe të familjes së tij. Saimir Tahiri posedon faktet e përfshirjes së Olsi Ramës në trafikun ndërkombëtar të drogës me laboratorin e kokainës në Xibrakë, prandaj “imazhi i Shqipërisë në Europë” nuk ka asnjë rëndësi për Edi Ramën. Sot Edi Rama po hesht dhe po shijon rezultatin e punës së tij dyvjeçare për të prishur dosjen e Saimir Tahirit, për të ndaluar arrestimin e tij me burg, për të ndaluar dënimin e tij me burg. Shqiptarët që shpresuan se do të kishte drejtësi për të paktën një peshk të madh në këto 6 vjet, e dinë se Saimir Tahiri bashkëpunoi me bandën e Habilajve dhe përfitoi nga trafiku ndërkombëtar i drogës”, theksoi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë