Deputetja e PD, Jorida Tabaku, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” thotë se qeveria Rama nuk e do dijen dhe arsimin, pasi buxheti për këtë sektor është shumë herë më pak se qeveritë e kaluara.
“Në një kohë kur vendet e rajonit po investojnë në fushën e arsimit dhe zhvillimit arsimor, qeveria Rama e ka shpallur armik dijen dhe arsimin. Tashmë është praktikë e qeverisë Rama që të buxhetojë shumë herë më pak sesa qeveritë e shkuara për arsimin”, shkruan ajo.
Teksa vlerëson në gjendje të mjeruar arsimin parauniversitar në Shqipëri, ajo thekson se gjendja në ciklin e lartë arsimor është edhe më keq, pasi tarifat janë marramendëse.
“Kryeministri, i cili përpiqet të shfaqë kulturën dhe civilizimin e tij për të mbuluar dështimin e tij në arsimin e lartë, nuk mund të fshehë dështimin e turpshëm të Reformës në Arsim. Një reformë që mbylli 130 shkolla, 20 degë dhe që shtyu të rinjtë të largohen”, shkruan Tabaku, duke shtuar se edhe ato pak studentë që vijnë në universitetet shtetërore përballen me tarifa marramendëse që rriten për vit, ndërsa familjet shqiptare varfërohen për vit.
Një tjetër abuzim sipas saj është edhe rritja e çmimeve të librave.
“Kushtojnë 7.3% më shumë sesa një vit më parë dhe sipas të dhënave të INSTAT gjithnjë e më shumë familjet shqiptare heqin bukën e gojës për të mbajtur në shkolla fëmijët e tyre. Oligarkët e qeverisë ndërkohë fitojnë miliona euro nga tenderët, koncesionet, PPP-të dhe gjithfarëlloj shpikjesh, ndërsa qytetarëve të vendit u mohohet e drejta bazë e arsimit. Shqiptarët varfërohen, lihen pa shkollë dhe në injorancë të thellë, ndërsa buxheti i shtetit trajtohet si tepsia personale e mazhorancës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.