Kosova

Sveçla: Serbia tentoi aneksimin e veriut të Kosovës, sulmuesit u trajnuan në baza serbe

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se Kosova ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e vendit dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sveçla tha gjatë një konference për media të dielën në jug të Mitrovicës se mbi 90 persona morën pjesë në sulmin kundër Policisë së Kosovës.

“Serbia u mundua vazhdimisht të thotë se nuk ka të bëjë asgjë më këtë sulm, por faktet që do të publikohen dëshmojnë që përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaunik. Këto pamje u siguruan nga dronët e grupit terrorist të cilët i kemi konfiskuar”, tha Sveçla të dielën.

Ai tha se sulmuesit planifikonin të hapnin "një kanal të gjatë nëntokësor" nga Banjska deri në Serbi, për "furnizime nga shteti serb".

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se grupi që e kreu sulmin në Banjskë ishte trajnuar për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe.

“Plani i [sulmuesve] ka qenë plan total i aneksimit të veriut të Kosovës. Në dokumentet që ne e kemi, të cilat nuk mund t’i ndajmë me ju tani, ka një plan për aneksimin e veriut të paraparë në fazën fillestare në 37 pocizione, nga ku do të sulmoheshin njësitet tona policore, jo vetëm në Banjskë e Zveçan por në të gjitha pjesët veriore, e pastaj krijimi i një korridori të lirë për Serbi për furnizime të tjera me njerëz, materiale, ekspertë dhe furnizime të tjera të nevojshme për një rezistencë të armatosur dhe për krijimin e një realiteti të ri në vend”, tha Hoxha.

Ndërsa sipas Ministrit të Brendshëm, hartat ishin profesionale dhe armët ishin të sofistikuara. “Nuk mundet një person me trajnim njëjavor apo dyjavor të zotërojë përdorimin e këtyre armëve ka pasur profesionistë të ushtrisë nga ana e ushtrisë dhe të policisë që kanë qenë pjesë e aksionit në Kosovë”, tha Sveçla.

Ai u shpreh se hartat tregonin kanalin deri në Zveçan, të cilët e kanë përdorur këtë rrugë për shkak se rrugët nacionale kanë qenë të kontrolluara nga policia e Kosovës.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për mbështetje, por për planifikim, udhëheqje. Hartat janë profesionale dhe armët të sofistikuara. Nuk mundet një person me trajnim një javor apo dy javor të zotërojë përdorimin e këtyre armëve ka pasur profesionistë të ushtrisë nga ana e ushtrisë dhe të policisë që kanë qenë pjesë e aksionit në Kosovë. Kanë dashur të hapin korridor përmes të cilës të vazhdonin furnizimet për pjesët tjetër të grupeve të tjera apo të grupeve që I kanë në Republikën e Kosovës. Përvec këtij grupi që kanë qenë të armatosur kemi gjetur dhe 115 uniforma në kontigjentin e armëve të konsfiskuara. Do të thotë që grupi ishte shumë më i madh se 90. Nga ana tjetër hartat tregojnë kanalin deri tek Zveçani, ata kanë shfrytëzuar këtë rrugë meqë rrugët nacionale kanë qenë të kontrolluara nga policia e Kosovës”, tha Sveçla.

Hetimi vazhdon

Hoxha tha se Policia e Kosovës është ende duke e vazhduar hetimin në veri edhe një javë pas sulmit vdekjeprurës.

Sveçla tha se një sasi armatim të ri u gjet në Banjskë edhe të dielën. Policia kishte konfiskuar tashmë sasi të mëdha armatimi në ditët pas sulmit.

Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.

Hoxha njoftoi se është duke u hetuar edhe Kisha Ortodokse dhe manastiri “për të parë rolin e tyre të mundshëm në sulm apo nëse e kanë ndihmuar grupin terrorist”.

“Objektivat tona janë shumë të qarta, manastiri duhet të ruhet me çdo kusht dhe policia duhet të jetë shumë e kujdesshme në veprime ndaj manastirit dhe personelit të tij”, tha Hoxha.

Hoxha tregoi se gjatë operacionit “tonë brenda manastirit u gjetën 49 persona civilë, 43 pelegrinë dhe gjashtë personel, asnjëri nga këta nuk është dëmtuar apo keqtrajtuar.”

Radoiçiçi s’është fajtori kryesor

Të premten, Milan Radoiçiç e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Por, Sveçla tha se barrën kryesore për sulmin në veri e bart presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë serbë.

“Së pari Radoiçiçi nuk është përgjegjësi i vetëm për këtë sulm, e as kryesori. Tashmë dihet se tentim-aneksimi u bë nga ana e presidentit të Serbisë, nga ministri i Mbrojtjes i tij dhe nga shefi i Shtabit [të ushtrisë serbe], do të thotë ata janë përgjegjësit, e ky është ekzekutori”, tha Sveçla.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare “jo vetëm ta dënojë, por edhe ta sanksionojë një shtet terrorist si ky.”

I pyetur për ekstradimin e Radoiçiçit, Svecla tha se do të kërkohet ndihma e ndërkombëtarëve dhe la të kuptohet se ata mund të gjykohen në mungesë nga autoritetet kosovare.

“Unë besoj se drejtësia do të vihet në vend herët a vonë. Na tash e kemi edhe mundësinë ligjore për t’i dënuar në mungesë këta terroristë. Mendoj se tash kemi dëshmi”, shtoi ai.

Kosova konfiskon pronën e Radoiçiç, vila luksoze do kthehet në stacion policor

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ka kërkuar që vila e Milan Radoiçiçit, organizatorit të grupit terrorist që sulmoi Kosovën para një jave, të shndërrohet në stacion policor për njësitë me barka në departamentin kufitar.

Sveçla tha në një konferencë për media se vila e Radoiçiçit në skaj të liqenit të Ujmanit është e ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore të Kosovës.

"Kompleksi superluksoz i Milan Radoiçiçit është i ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore të Kosovës. Po ashtu ‘bypass’i i tunelit në afërsi është i uzurpuar nga ky kompleks, nga Milan Radoiçiç. Ky ‘bypass është infrastrukturë kritike. Tashmë jam në bisedime me ministrin e Bujqësisë, që kjo pronë t’i kalojë ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më pastaj të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës, për stacion për njësi me barka në departamentin e kufirit", tha Sveçla. /REL/RTK/TVDukagjini


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë