Futboll

Surprizon Luftëtari, Kukësi i shpëton humbjes në Gjirokastër

Kukësi paguan mendjemadhësinë në Gjirokastër, ku jo vetëm që nuk fitoi, por i shpëtoi humbjes pas ndihmës së arbitrave, të cilët i anuluan Luftëtarit një gol krejtësisht të rregullt në pjesën e parë. Dy pikë të lëna pas barazimit 0-0 dhe një gabim i rëndë, që Kukësi me siguri do ta vuajë në vazhdim të kampionatit dhe që gjithashtu mund të rëndojë psikologjikisht para sfidës me Partizanin rival.

Trajneri Duro hodhi në fushë lojtarët e formacionit titullar, kurse kolegu i tij Çoçlli një ekip me shumë djem të rinj, pasi nga gjirokastritët ka pasur shumë largime në merkaton e dimrit. Gjithsesi, Luftëtari ia doli të përballonte emrat e mëdhenj të Kukësit dhe të ishte më pranë fitores. Në një moment Açka shënoi, por goli u anulua nga njëri prej anësorëve, pa u kuptuar mirë për pozicion jashtë loje apo për faull. Në fakt, asnjë nga këto arsye nuk qëndronte. Në një rast tjetër, Kukësin e shpëtoi portieri Xhika.

Kryesuesit dukej se e kishin marrë me eufori ndeshjen. Vetëm në një rast ata rrezikuan seriozisht me Ethemin, i cili goditi traversën. Në minutat e fundit lojtarët e ekipit kuksian vuajtën presionin e fitores dhe mund të ishin ndëshkuar, nëse lojtarët e Luftëtarit do të kishin pak më shumë përvojë. Kukësi ruan kryesimin pas këtij barazimi, me 32 pikë, ndërsa Luftëtari vazhdon të qëndrojë në zonën e ftohtë të rënies nga Superiorja. Gjirokastritët meritojnë komplimente për kurajën dhe lojën e bukur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë