Publikimi i listave për deputetë ka zbuluar jo vetëm gurët politikë që po lëvizin partitë për të fituar sa më shumë vota në garën e 14 shkurtit, por ka sjellë edhe lëvizje të papritura që mund të ndryshojnë të gjithë fatin e zgjedhjeve të parakohëshme.
Në shahun politik parazgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ka vendosur të eleminojë “mbretin”, duke nxjerrë jashtë lojë kreun e partisë Isa Mustafën.
Listën e LDK-së e kryeson kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, por lideri i partisë nuk është përfshirë për herë të parë në historinë e partisë në listat zgjedhore. Kjo nuk duket të jetë një përpjekje për të sjellë më shumë figura të reja, pasi LDK duket se po kandidon me të njëjtat figura politike si janë Kujtim Shala, Agim Veliu, Anton Quni apo Arben Gashi, por një përpjekje për shkëputjen nga trashëgimia e Mustafës, i cili ka mbizotëruar prej vitesh në vendimmarrjen e partisë.
Kjo listë u dorëzua nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, i cili tha se kjo është lista më e mirë zgjedhore e LDK-së. Në një mbledhje të mbajtur të shtunën, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë vendimin që Abdullah Hoti të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër të vendit.
LDK-ja është partia më e vjetër dhe me traditën më të gjatë demokratike në Kosovë, por pas largimi nga jeta të liderit të saj shpirtëror, Ibrahim Rugova, nuk ka arritur të dalë e para në asnjë nga zgjedhjet e mbajtura në Kosovë. Sipas analistëve, humbja pesë herë radhazi e zgjedhjeve parlamentare dhe humbja e shumicës së bastioneve në nivelin lokal, çon në rrezikun që LDK të humbasë edhe pozicionin si partia e dytë në Kosovë nëse vazhdon të kandidojë me Isa Mustafën.
Pavarësisht mobilizimit të jashtëzakonshëm për këto zgjedhje, pas bashkimit me Vetëvendosjen të kandidates për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Vjosa Osmani dhe disa figurave tjera minore, LDK do ta ketë të vështirë të ruajë po të njëjtin nivel votash të marrë në zgjedhjet e kaluara.
Analistët thonë se pas tërheqjes tri herë radhazi të kandidaturës për kryeministër, me tërheqjen edhe nga kreu i partisë, lideri aktual, Isa Mustafa do ta ndihmonte më shumë se asgjë dhe askush tjetër ngritjen e LDK-së në këtë proces zgjedhor.
“Pra, largimi vullnetar i Isa Mustafës nga kreu i partisë do t’i hapte rrugë kthimit të besimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ngritjen e radhës, pse jo edhe të fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, shkruan analisti Florim Zeqa. “Hyrja e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit me Isa Mustafën kryetar, rrezikon humbjen e gjashtë radhazi dhe rënien më të madhe në këto 15 vjetët e fundit.”
Por LDK nuk ka qenë partia e vetme që po garon në këto zgjedhje me një sërë surprizash politike. Lëvizja Vetëvendosje ka sjellë po ashtu risi në listën e kandidatëve për deputetë, duke arritur të joshë për t’u përfshirë në jetën politike simbolin kryesor të krimeve seksuale të ushtrisë serbe ndaj grave të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman.
LEXO EDHE:
Vasfije Krasniqi, gruaja e parë që foli për dhunimin seksual nga serbët në listën e Vetëvendosjes
Ajo është e katërta në listën e partisë së Albin Kurtit, duke sinjalizuar se nëse arrin të formojë qëverinë, dhuna seksuale e ushtruar nga ushtria serbe në Kosovë do të jetë një nga temat qendrore të mandatit të tij. Krasniqi-Goodman është bërë një figurë kyçe në denoncimin e këtyre krimeve me fushatat e pafundme solidarizuese të ndërmarra në SHBA, ku jeton edhe punon. Ajo ka dëshmuar për përdhunimin e saj nga ushtria serbe gjatë luftës së Kosovës edhe në Kongresin Amerikan, duke sjellë dëshmi edhe të grave të tjera që ishin përballur me të njëjtat tmerre dhe duke kërkuar drejtësi edhe në emër të tyre. Por një figurë e njohur ndërkombëtarisht si Krasniqi-Goodman nuk është supriza e vetme e Vetëvendosjes.
Në listën e Vetëvendosjes, Kurti ka përfshirë edhe gruan e Rexhep Selimit, zyrtarit që po përballet me akuza për krime lufte në Hagë. Gruaja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi, do të kandidojë për deputete në listën e Vetëvendosjes, duke mbajtur numrin dhjetë në këtë listë, i cili është mbajtur historisht nga bashkëshorti i saj. Numri 10 mbart një simbolikë të madhe për Selimin, i cili njihej si "Dhjetëshi" nga ish-drejtuesit e UÇK-së.
Kryesuesja e listës së Iniciativës Qytetare, me sloganin "GUXO", Vjosa Osmani, nga ana tjetër, ka arritur të marrë 14 deputetë në listën e përbashkët me Vetëvendosjen.
Në mesin e garuesve për deputetë nga ana e kësaj iniciative janë Donika Gërvalla me numrin 8, Haxhi Avdyli me numrin 16, si dhe Faton Peci me numër 24.
Ushtruesja e detyrës si presidentes së Kosovës iu bashkua garës zgjedhore në një listë me Lëvizjen Vetëvendosje, pas një marrëveshjeje të arritur me Kurtin. Ata synojnë dy postet më të rëndësishme në vend: Kurti atë të kryeministrit, ndërsa Osmani postin e Presidentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.