Ekonomi

Supermarketet të boshatisura nga bulmeti i freskët vendas, reagon qeveria

Supermarketet, minimarketet dhe furrat e bukës prej dy ditësh nuk po furnizohen me bulmet të freskët prej fabrikave në vend.

Sipas një vëzhgimi që Gazeta “Si” ka bërë në disa pika shitjeje në Tiranë, rezulton se qumështi dhe kosi vendas mungonin.

“Kemi dy ditë që nuk na furnizojnë fabrikat me qumësht dhe kos. Ata kanë të drejtën e tyre. Nuk dimë se si do shkojë, por mendoj që kanë të drejtë. Ne, le të hamë qumësht kutije!” shprehet një shitëse tek market “Aldi” pranë Kodrës së Diellit.

E njëjta gjendje mungese bulmeti të freskët vendi ka tek "Eco Market", "Big Market", si edhe nq dyqanet e vegjël ushqimorë dhe furrat e bukës.

Por ngjan sikur qeveria ka reflektuar dhe ka ardhur reagimi i parë.

I ftuar në "Business Week" të Aurora Sulçes në A2 CNN, ministri për Mbrojtjen e Sipërmarjes, Eduart Shalsi ka deklaruar se skema që u ndërmorr me qëllimin për të ndihmuar fermerët, paraqet rreziqe dhe duhet rishikuar.

“Jemi të gjithë të shqetësuar. U nisëm nga një premisë 20%, ndërkohë që duke analizuar skemën pamë që përfituesit nuk ishin fermerët. Dhe besoj se duhet përmirësuar skema, sepse aktualja mund të paraqesë disa rreziqe. Mendoj se mund të ishte konsultuar edhe më shumë dhe debatuar më mirë”, u shpreh ministri Shalsi.

Albanian Food Industri (ALFI) thotë se e ka mirëpritur reagimin e qeverisë përmes ministrit Shalsi në një emision televiziv. Hapi i parë pas këtij reagimi do të jetë një letër nga ana e ALFI drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për takim për të diskutuar zgjidhjet e ndryshimit të skemës së TVSH-së së miratuar me paktën fiskale 2019-të .

Grumbulluesit dhe agropërpunuesit e Lushnjës, Beratit, Divjakës, Kuçovës, Gjirokastrës, Shkodrës e rretheve të tjera të vendit kanë ndërprerë grumbullimin e qumështit e për pasojë nuk janë furnizuar të gjitha pikat e shitjeve me bulmet të freskët vendi.

Grumbulluesit dhe përpunuesit nga e gjithë vendi zhvilluan të mërkurën një manifestim paqësor nga Rotondo e Savrës deri tek Rotondo e Plastmasit, pranë Lushnjes.

Aktet demostruese u shpjeguan nga manifetsuesit si mbështetje ndaj prodhuesve bujqësorë për skemën e re të TVSH-së, pasi sipas tyre, këto ndryshime ligjore do të shkaktojnë dëmtim të prodhimit vendas duke favorizuar importet, rritur informalitetin, si dhe cënuar sigurinë udhqimore.

Ata sqaruan se “kauza e fermerevë, grumbulluesve dhe agropërpunuesve është qartësisht ekonomike dhe nuk ka asnjë lidhje me politikën.”

Skema e re e TVSH-së parashikon për të gjitha produktet bujqësore në blerje do të njihet 6% e TVSH-së dhe në shitje 20%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë