Futboll

Superliga shndërrohet në ‘thriller’, 90 min e fundit me laps dhe letër në dorë… 9 nga 10 klubet luajnë për veten!

Vetëm 90 minuta për të ndarë thuajse të gjitha verdiktet e këtij edicioni 2022/2023 të kampionatit shqiptar, ose të paktën më të rëndësishmet, nga skuadra që do të shpallet kampione, tek skuadra e katërt, që do të marrë pjesë në Kupat e Europës dhe dy skuadrat që do të që zbresin një kategori më poshtë dhe vendin e tetë, që është zona e ‘play out’, skuadra që do të zhvillojë një ndeshje shtesë me skuadrën fituese të ‘play-off’-it të Kategorisë së Parë, për të vendosur nëse do të qëndrojë në Superiore, apo do të zbresë një kategori më poshtë.

Nga kampionati shqiptar normalisht skuadrat e tre vendeve të para që shkojnë në Kupat e Europës, por nëse mes tyre janë edhe dy finalistet e Kupës së Shqipërisë, ashtu si në këtë edicion ku është Tirana me Egnatian, listët së klubeve që marrin pjesë në Europë, i shtohet edhe vendi i katërt, duke qenë se Kupa është një tjetër rrugë drejt aktiviteteve ndërkombëtare.

Tirana, e përgjysmuar mes dëmtimeve dhe dënimeve nga Komisioni i Disiplinës, do të shpresojë ende në këto 90 minuta të fundit përballë Erzenit, te titulli kampion që e synoi gjithë sezonin, duke qëndruar në shumicën e kohës në krye, por që u shua nga ndeshja e fundit me Bylisin, ku barazuan 2-2 dhe ky rezultat, lidhur me fitoren e Partizanit me Kastriotin 4-1 i dha mundësinë të kuqve, që me pikë të barabarta me bardheblutë, të jenë në vend të parë, pasi në përballjet direkte kanë fituar me Tiranën.

Një klasifikim që do të shpallë kampion Partizanin, nëse do të mbyllet kështu, por përballë ka Teutën, mes problemeve të shumta që pati në këtë sezon, që në këtë finishin shpreson në 1 pikë të vetme. Aq sa për të siguruar vendin e katërt, që do ta dërgonte në Kupat e Europës, por nga ana tjetër një barazim i tyre dhe një fitore e Tiranës, do të përmbyste sërish klasifikimin.

Por në përballjet e tyre direkte, Partizanit dhe Teuta të paktën në 10 ndeshjet e fundit, kanë dalë vetëm 3 herë në barazim, ndërkohë që 7 ndeshjet e mbetura janë të ndara në 5 fitore të Partizanit dhe vetëm 2 të “Djemve të Detit”.

Europën e do edhe Vllaznia!

Pas Teutës është edhe Vllaznia, një pikë pas saj, që shpreson në kombinimet e javës së fundit. Një humbje e Teutës ndaj Partizanit shpall të kuqtë kampionë, ndërkohë që i hap dyert Vllaznisë, pasi me një fitore ndaj Bylisit, ngjitet ajo në vendin e katërt. Por ndeshja e tyre e fundit përballë ballshiotëve, të cilët luftuan për barazim ndaj Tiranës, nuk do të jetë e thjeshtë. Matematika i mban ata ende në lojë, të paktën për zonën e “play out”-it.

Nëse Bylisi mund Vllazninë dhe Tirana mposht Erzenin, do të jetë skuadra nga Ballshi ajo që do të diskutojë me një ndeshje shtesë në ‘play out’ për qëndrimin në Superiore, duke zbritur shijakasit menjëherë një kategori më poshtë.

Laçi është “grabiqari” tjetër me sytë nga vendi i katërt!

Kombinimet dhe matematika ia lejon edhe kurbinasve. Aktualisht ata janë në kuotën e 45 pikëve, 3 më pak se Teuta që mban vendin e katërt sot, por në rast se Teuta mundet nga Partizani dhe Laçi fiton me Kastriotin që tashmë ka siguruar rënien nga kategoria Superiroe edhe matematikisht, në hipotezën e pikëve të barabarta, do të kalonin kurbinasit në vendin e katërt, pasi në përballjet direkte me Teutën janë ata fitimtarë në këtë sezon duke i fituar të katërta përballjet me durrsakët.

Një kampionat i ngatërruar dhe më i paqartë se ky, kishte vite që nuk ndodhte

Nga 10 skuadra, ende 8 prej tyre nuk e kanë të qartë për atë që do të ndodhë, pasi matematika i mban në lojë për objektivat, nga titulli tek Europa dhe mbijetesa. Kjo bën që 90-minutëshi i fundit i këtij edicioni 2022/2023, mund të jetë ndoshta ndër më të kontestuarit, por padyshim më ‘thriller’ në aspektin sportiv, ku të gjithë mbeten me laps e letër në dorë për llogaritë e tyre, për të fituar sa më tepër sportivisht, e rrjedhimisht edhe financiarisht pas 36 javëve të edicionit të 84-t të kampionatit kombëtar të futbollit elitar shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë