Superiorja zbret sot sërish në fushë për javën e 16-të të saj, që është edhe java e parafundit për këtë vit kalendarik. Vëmendja është e gjtha në aksin Shkodër-Durrës, ku luhen sfidat e kryesuesve të kampionatit, Kukësi në fushën e Vllaznisë dhe Partizani në fushën e Teutës. Interesant është fakti se tri skuadra vijnë në këto ndeshje me ndryshime në stol, Teuta me trajnerin e zyrtarizuar Edi Martini, ndërsa Partizani dhe Luftëtari me zgjidhje emergjence. Të kuqtë do të drejtohen nga Reinaldo Kalari, kurse gjirokastritët janë thuajse pa trajner, pasi edhe Neritan Novi, trajneri provizor, është i dënuar nga Disiplina.
Kukësi, me 27 pikë, mori kryesimin javën e fundit, duke përfituar nga humbja e Partizanit në derbi. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ka pasur një rritje të ndjeshme në javët e fundit dhe synon që të mos e prishë ecurinë pozitive as në “Loro Boriçi”. Përballë gjen një Vllazni me moral të lartë pas fitores në Korçë dhe sigurisht që nuk do ta ketë të lehtë. Treshja sulmuese e Kukësit me Shkartajn, Abazajn dhe Gavazajn premton gola edhe në këtë ndeshje.

Partizani, pas dy humbjeve radhazi dhe me Kalarin trajner provizor, kërkon kthesën nga Durrësi, ku gjithashtu gjen një kundërshtar me trajner të ri. Drejtimin e Teutës, pas largimit të Bledi Shkëmbit, e ka marrë Edi Martini, shkodrani që kohët e fundit ka pasur polemika në distancë me ekipin e kuq. Në raport me formacionin që përdorte ish-trajneri Lerda, pritet të ketë ndryshime, ku lëvizja e parë me siguri do të jetë aktivizimi i Jasir Asanit, i cili do të luajë dy ndeshjet e fundit me fanellën e kuqe para se të largohet drejt Suedisë.
Laçi, ekipi që me paraqitjen e javëve të fundit ka hedhur kandidaturën për titull, sot ka një ndeshje shumë të vështirë, shkon në fushën e Bylisit. Një provë force kjo për të besuarit e trajnerit Cungu. Skënderbeu luan në Gjirokastër ndaj Luftëtarit në krizë, ndërsa ndeshja tjetër e kësaj jave, ajo mes Tiranës dhe Flamurtarit, është e vetmja që luhet me drita, në orën 16:00. Tirana, me shumë mungesa, pas fitores në derbi ka tjetër moral dhe sot ka shanse të të mëdha për tri pikët e radhës, aq më tepër ndaj një Flamurtari, që po e braktisin të gjithë javë pas jave.
Java e 16-të, sot, ora 13:00
Teuta-Partizani
Vllaznia Kukësi
Luftëtari-Skënderbeu
Bylis-Laçi
Ora 16:00
Tirana-Flamurtari
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



