Futboll

Super Mançester Siti shpartallon Realin, i bashkohet Interit në finalen e Stambollit

Gazeta Si – Është Mançester Siti kundërshtari i Interit në finalen e Ligës së Kampionëve 2022/23 në Stamboll. Falë fitores 4-0 ndaj Real Madrid në ‘Etihad Stadium’, Siti siguroi finalen e dytë të Championsit në këto 3 vitet e fundit, me shpresën për të ngitur lart kupën me veshë të mëdhenj. Ndeshja e parë në Madrid kishte përfunduar 1-1.

Ndeshja nisi me dominimin total të Mançester Sitit dhe dukej sikur goli ishte vetëm çështje kohe. Pas disa pritjeve vendimtare të Kurtua, Bernardo Silva i hapi rrugën fitores së ‘qytetarëve’ me një gjuajtje të fortë në zonë.

Nga ky moment Reali vendosi të dilte nga gjysmëfusha e tij dhe në mund të barazonte me Toni Kros, nëse traversa nuk do t’i vinte në ndihmë portierit Ederson. Më pas Reali mori goditjen e dytë po nga Bernardo Silva, këtë herë me një gjuajtje me kokë.

Në pjesën e dytë skuadra e Guardiolës e uli pak ritmin, megjithatë arriti ta thellonte rezultatin në 4-0, pas një autogoli të Eder Militaos dhe një goli në shtesë të Julian Alvarez, i cili zuri vendin e Haland.

Trajnerit Karlo Ançeloti nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të konsumonte të gjitha zëvendësimet që kishte në dispozicion, pa asnjë shpresë për të bërë diçka përballë fuqisë së Sitit. Kampionët në fuqi të Europës janë dorëzuar pa kushte, duke iu përulur këtij Mançester Siti të jashtëzakonshëm.

Guardiola me të tijtë shkojnë në finalen e Stambollit dhe me atë çfarë kanë treguar deri tani, janë favoritë përballë Interit. Mançester Siti ka mundësinë e artë për të fituar Championsin.

Guardiola dhe Ançeloti takohen pas ndeshjes. Gazeta Si, 17 maj 2023


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë