Futboll

Super Handanoviç shpëton Interin, VAR-i nervozon Atalantën e Gjimshitit

Interi ngadalëson hapin, duke barazuar 1-1 me Atalantën në “San Siro”. Qëndron në krye me 46 pikë, por me një ndeshje më shumë se Juventusi që ndeshet sot në mbrëmje me Romën. Skuadra e trajnerit Konte kaloi në avantazh pas 4 minutash me Lautaro Martinez, por më pas vuajti jo pak. Gosens barazoi shifrat në minutën e 75-të, ndërsa 2 minuta para fundit Atalanta humbi shansin e fitores, pasi Luis Muriel shpërdoroi një penallti. Berat Gjimshiti, mbrojtësi i Kombëtares, luajti 90 minuta dhe ishte ndër më të mirët për skuadrën e tij.

Trajneri Antonio Konte ka falënderuar portierin Handanoviç, në një formë të shkëlqyer dhe vendimtar me atë pritje të penalltisë, duke i dhënë një pikë skuadrës zikaltër. Ishte një ndeshje më ritëm shumë të lartë. Vetëm pas 23 sekondash Lukaku goditi shtyllën, për t’ia lënë radhën Martinezit të kalonte Interin në avantazh. Atalanta e kaloi shpejt momentin e vështirë dhe doli në lojën e saj, duke e rrezikuar vazhdimisht portën e Interit. Arriti të barazonte dhe mund të kishte fituar, nëse Muriel, i futur në fushë si zëvendësues, do të ishte treguar i saktë nga pika e bardhë.

Pamja që tregon penalltinë e mohuar për Atalantën. Gazeta Si, 12 janar 2020

Ndeshja pati edhe momente të diskutueshme, ku veçohet ai i minutës së 39-të, kur Atalantës iu mohua një penallti, çka bëri që trajneri Gasperini të shpërthente në kritika pas barazimit. Gomez ekzekuton një goditje dënimi afër zonës së Interit, topi shkon në zonë, ku përballë Handanoviçit rrëzohen Lautaro Martinez dhe Toloi. Arbitri Roki nuk ka dyshime dhe akordon goditje këndi, ndërsa lojtarët e Atalantës kërkojnë penallti. Pas konsultimit në kufje me sallën e VAR-it, arbitri vazhdon lojën. Çfarë ndodhi në fakt? Ka një ndërhyrje ndaj Toloit dhe kur sheh me kujdes vihet re se dora e Lautaro Martinezit mbërthen këmbën e lojtarit të Atalantës. Nëse në fushë ky faull nuk mund të shihet, VAR-i mund ta konstatonte fare lehtë, ndaj është një gabim i rëndë i Irratit, i cili nuk e ndihmon Rokin. Duhej dhënë penallti për Atalantën.

Pas ndeshjes, trajneri i bergamaskëve, Xhampiero Gasperini, ka theksuar se është një gabim i turpshëm dhe i pakorrigjueshëm nga teknologjia. Atalanta vazhdon të qëndrojë pranë zonës Champions, në vend të 5-të, me 35 pikë, po aq sa ka edhe Roma e vendit të 4-t.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë