Futboll

Sulmohet arbitri në Peqin, rishfaqet dhuna në futbollin shqiptar

Ajo shfaqje e bukur në “Air Albania Stadium”, vetëm pas një dite ia la vendin fatkeqësisht dhunës në futbollin shqiptar. Fenomeni që shqetëson prej shumë kohësh futbollin në vendin tonë, sot është rikthyer në stadiumin e Peqinit, ku arbitri Sokol Bebja është sulmuar nga tifozët vendës pas përfundimit të ndeshjes Shkumbini-Dinamo.

Me të mbaruar ndeshja, disa tifozë kanë kapërcyer kangjëllat e rrethimit të fushës dhe janë futur brenda saj, duke iu vërsulur arbitrit Bebja, sipas tyre fajtor për barazimin e Shkumbinit, pasi favorizoi Dinamon me vendimet e tij.

Kanë ndërhyrë me shpejtësi trajneri i Shkumbinit, Sokol Branica, dhe lojtarët e këtij ekipi që kanë shmangur dhunën. Më pas janë futur në fushë edhe stjuardët, që kanë larguar nga fusha tifozët peqinas. Për pak minuta situata është qetësuar dhe arbitri Sokol Bebja ka shpëtuar mirë këtë herë, ndërsa agresorët, sipas ligjeve të fundit pritet të shoqërohen nga policia dhe të ndiqen penalisht. Përmasat e dhunës këtë herë nuk kanë qenë në përmasa të mëdha, por fakti që ato përsëriten vazhdimisht e bëjnë mjaft shqetësuese situatën në stadiumet tona.

FSHF thirrje Policisë: Arresto agresorët!
Ka reaguar pas ngjarjes edhe FSHF-ja, duke kërkuar ndëshkim maksimal për agresorët. “Federata e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit. FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë. FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambientet sportive”, - shkruhet në qëndrimin zyrtar të FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë