Lajme

Sulmi ndaj parlamentit rikthen frikën në Britani

Përplasja e një makine me barrierat e sigurisë së parlamentit dhe përplasja e disa këmbësorëve, ka ngjallur sërish frikën për sulme terroriste në Britani. Autoritetet arrestuan një 29-vjeçar mes raporteve se ngjarja po trajtohet si incident terrorist. Ai është identifikuar si Salih Khater. Policia Metropolitane e Londrës tha se ai kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, fillimisht nga Sudani.

Tre persona mbetën të plagosur kur makina e të dyshuarit hyri me shpjetësi mes çiklistëve dhe këmbësorëve gjatë orës së trafikut, mëngjesin e së martës, në një prej zonave më të njohura të Londrës.  Ai u arrestua në vendngjarje dhe po mbahet aktualisht në një stacion policor në jug të Londrës. Khater raportohet se ka studiuar për financë-bankë në universitetin e Coventry, në Midlands. Ai u arrestua fillimisht nën dyshimin për përgatitjen dhe nxitjen e akteve të terrorizmit.

“CNN” raporton nga ana tjetër, se detektivët vazhdojnë të kërkojnë për të dyshuar të tjerë. Ata kanë përfunduar kërkimet në dy adresa të tjera në Birmingham dhe Nottingham. Komisari i Policisë Metropolitane, Neil Basu, tha të martën se i dyshuari nuk pranonte të bashkëpunonte me policinë. Deri më tani, ai ishte një emër i panjohur për agjentët e MI5-ës.

Salih Khater, autori i dyshuar i sulmit ne parlamentin britanik

Rritja e sigurisë

Siguria në Londër është rritur vazhdimisht pas një sërë sulmesh vdekjeprurëse pranë zonave më të njohura në kryeqytetin britanik vitin e kaluar. Sulmi i parë ndodhi në mars të vitit 2017, kur një 52 vjeçar britanik, i cili kishte jetuar në Birmingham, përplasi dhjetëra këmbësorë në Uestminster, duke vrarë katër persona. Ai goditi po ashtu një polic të paarmatosur. Javë më vonë, në qershor, shtatë qytetarë të tjerë humbën jetën kur një furgon i bardhë përplasi këmbësorët në Urën e Londrës.

Tanimë, autoritetet po përpiqen të mësojnë më shumë rreth të dyshuarit nga Sudani. Shoferi ishte i vetëm në makinë dhe në vendin e ngjarjes nuk u gjetën armë. Autoritetet nuk besojnë se ka ndonjë rrezik tjetër për londinezët, por niveli zyrtar i kërcënimit për terrorizmin në Mbretërinë e Bashkuar mbetet i lartë. Raportet mbi sulmin në parlament dominuan faqet e para të mediave në Mbretërinë së Bashkuar, edhe pse nuk pati viktima. Anëtarët e parlamentit janë aktualisht me pushim verore dhe fatmirësisht, ndërtesa më e zhurmshme e qeverisë britanike  ishte relativisht e zbrazët.

"Dëgjova disa zhurma. U ktheva dhe pashë një makinë që po vinte me shpejtësi nga kryqëzimi- tha një dëshmitare nga vendngjarja- Pas përplasjes u dëgjua një zhurmë e madhe, por pavarësisht tymit që po dilte nga makina, shoferi nuk dilte jashtë”,

Kryeministrja britanike, Theresa May, kryesoi një takim të jashtëzakonshëm të njësisë speciale Kobra për të diskutuar incidentin, të cilin ajo e quajti "tronditës".

"Për herë të dytë, shtëpia jonë e demokracisë, e cila është një simbol i fuqishëm i vlerave të çmuara të tolerancës dhe lirisë, ka qënë dëshmitare e skenave të tmerrshme”, tha May. Presidenti amerikan, Donald Trump dënoi gjithashtu sulmin në Tëitter.

"Një sulm tjetër terrorist në Londër ... Këto kafshë janë të çmendura dhe duhet të trajtohen me rezistencë dhe forcë!", shkruante Trump.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1029332350969237504?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1029332350969237504&ref_url=https%3A%2F%2Fedition.cnn.com%2F2018%2F08%2F15%2Fuk%2Flondon-terror-parliament-house-intl%2Findex.html

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë