Ngjarje

Sulmi kibernetik u detektua të premten, Qeveria: E njëjta metodë që është përdorur kundër sistemeve në Ukrainë

Qeveria thotë se sulmet kibernetike ndaj sistemeve të shërbimeve u vunë re që mesditën e së premtes dhe shkalla dhe kompleksiteti i tyre detyruan AKSHI-n që të pezullonte shërbimet për t’u përballur me këto sulme.

Përmes një deklarate, Qeveria thotë se sulmet janë komplekse dhe të ngjashme me ato që janë ndërmarrë edhe në vende të tjera të Europës.

“Metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare. Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Vetëm në Ukrainë këtë vit ka pasur 5 sulme me të njëjtën metodologji, ndërsa në Gjermani i njëjti lloj sulmi ka nxjerrë jashtë funksioni impiantet e prodhimit të energjisë me erë”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës, metoda e përdorur ka qenë fillimisht maskimi me sulme të tipit Ransomëare (programe kompjuterike që bllokojnë aksesin në sisteme, kompjutera e dosje) për të tërhequr vëmendjen nga qëllimi real i sulmit.

“Keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike. Hapi i dytë i këtij sulmi të përqendruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit”, vijon deklarata.

Por, Qeveria thotë se detektimi në kohë dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet të mos preken.

“Që në momentet e para të evidentimit të këtij sulmi AKSHI është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë të Microsoft nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetikë të Detektimit dhe Përgjigjes ndaj Incidenteve (DART team). Gjithashtu ekspertët e “Jones Group International” janë këtu, për trajtimin e situatës dhe kthimin sa më shpejt në normalitet”, vijon reagimi.

Qeveria siguron se nga këto sulme të gjitha veprimet e kryera nga qytetarët e bizneset para dhe gjatë kohës së nisjes së sulmit janë të regjistruara dhe të sigurta.

“Sistemet qeveritare kanë të gjitha back-up dhe janë të sigurta. Në këtë moment jemi duke verifikuar sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurt në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë”, thuhet në deklaratë.

Paralelisht, thotë Qeveria, të gjithë aktorët institucionalë janë në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm për hetim të thellë e të detajuar të këtij krimi kibernetik.

Deklarata mbyllet me garancinë e dhënë ndaj qytetarëve se të dhënat e tyre nuk janë prekur, ndërsa ftohen aktorët politikë që të mos e politizojnë këtë sulm.

“Sigurojmë të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura. Nuk ka vend për polemika politike aq kohë sa jemi përballë një armiku të përbashkët në këtë luftë kibernetike, ndaj të lëmë ekspertët të bëjnë punën e tyre në mënyrë që çdo sistem që rikthehet në punë të jetë funksional dhe mbi të gjitha i sigurt”, thuhet në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë