Ngjarje

Sistemet e shërbimeve jashtë funksionit, kush qëndron pas sulmeve kibernetike në Shqipëri?

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk jep asnjë afat, as zyrtarisht dhe as jozyrtarisht se kur mund të rikthehet sërish në punë e-Albania dhe sistemet e tjera të shërbimeve qeveritare, të cilat në një vendim të pashembullt të agjencisë u fikën me arsyetimin zyrtar të një sulmi kibernetik.

Burime të Gazeta Si nga AKSHI thonë se sulmi është i koordinuar, mirëorganizuar dhe për nga përmasat dhe forma e përdorur me një kosto të lartë financiare prej të paktën 200 mijë dollarësh. Ekspertët e AKSHI-t, përveç deklaratës se sulmet mbërrijnë nga jashtë vendit nuk mund të adresojnë gishtin askund tjetër.

Dyshimet janë se sulmi është orkestruar nga një agjenci spiunazhi e një vendi të huaj jomiqësor me Shqipërinë, por pa përmendur asnjë vend.

Nga metodika e përdorur dhe vala e sulmit, dyshohet se qëllimi nuk është marrja e të dhënave, pasi për ta realizuar këtë filtrat e sigurisë së ngritur nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoft janë pothuajse të pakalueshëm, siç thonë burimet e Gazeta Si. Por, qëllimi ka qenë bllokimi i aksesit, si të përdoruesve, ashtu edhe të administruesve të këtyre sistemeve.

Bllokimi, sipas vlerësimit paraprak të sulmit mund të realizohej përmes një programi kompjuterik të posaçëm (ransomëare), që kodon sisteme, dosje e kompjutera për llogari të autorëve të sulmit. Kur sulmet e tilla janë të suksesshme, agresorët janë të vetmit që mund të sigurojnë hapjen e tyre, por në shumicën e rasteve pa siguruar dot qasjen te të dhënat që përmbajnë sistemet, kompjuterat apo dosjet e shënjestruara në sulm.

Në këtë rast, sipas një deklarate të qeverisë sulmi me Ransomware ka qenë hapi i parë dhe ‘karremi’ për të maskuar qëllimin e vërtetë të operacionit. “Hapi i dytë i këtij sulmi të përqendruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit”, thotë Qeveria.

Në të njëjtën deklaratë thuhet se e njëjta metodë është përdorur në sulmet kibernetike ndaj Ukrainës, Gjermanisë, Lituanisë, Maltës dhe vendeve të tjera të BE-së. Për këto sulme është fajësuar Rusia. Por, Qeveria shqiptare nuk e përmend Rusinë në këtë rast.

Një hetim më i thelluar mund të çojë në zbulimin e autorëve, por deri atëherë ka disa arsye që pengojnë në fajësimin e Rusisë për këtë sulm. Së pari, me sulme të këtij lloji janë përballur sistemet qeveritare të vendeve të rajonit pas nisjes së luftës në Ukrainë, por Shqipëria nuk ishte prekur nga një ofensivë kaq kompekse dhe masive.

Së dyti, edhe Irani, Kina dhe Koreja e Veriut janë akuzuar në të shkuarën për sulme kibernetike me të njëjtat metoda. Kina dhe Koreja e Veriut pak interes kanë që të investohen në një sulm të tillë ndaj Shqipërisë, por Irani dyshohet që po.

Ditët e fundit, një aksion i SPAK çoi e të paktën 11 shtetasve iranianë, ish-anëtarë të MEK-ut në Shqipëri të dyshuar për spiunazh në shërbim të regjimit iranian. Por, arrestimet mund të jenë vetëm maja e ajsbergut të një rrjeti agjenturor më të gjerë, pasi rreth 400 anëtare të muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri janë larguar nga kampi i Manzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë