Politike

Sulmet ndaj ambasadës në Serbi, Mali i Zi i alarmuar

Tensionet mes Serbisë dhe Malit të Zi duket se kanë arritur kulmin pas sulmit ndaj ambasadës malaze në Beograd. Kryeministri malazez dhe ministria e jashtme kanë reaguar ashpër duke e deklaruar se Podgorica po përballet me mbrojtjen e pavarësisë.

Mnistria e jashtme malazeze i ka bërë thirrje qeverisë serbe që t’i përgjigjet urgjentisht aktit vandal dhe të merren masa ndaj organizatorëve dhe autorëve të aktit.

“Qëndrimi i autoriteteve serbe është befasues. Mali i Zi po përballet edhe një herë me sfidën e mbrojtjes së pavarësisë dhe lirisë. Ne do ta ruajmë Malin e Zi përkundër urrejtjes që ka pllakosur nga të njëjtët aktorë brenda dhe jashtë kufijve të saj,”- tha kryeministri Markoviç.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Serbisë, në përputhje me legjislacionin e saj kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, që t’i përgjigjen urgjentisht këtij akti vandal dhe që autoritetet kompetente të ndërmarrin veprime të duhura sa më shpejt kundër organizatorëve dhe autorëve që shkelin sigurinë e ambienteve të Ambasadës së Malit të Zi”, tha më tej ministria.

Ambasada e Malit të Zi në Beograd ka rënë pre e një sulmi të huliganëve serbë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mjete piroteknike janë hedhur në drejtim të godinës ku ndodhen zyrat e ambasadës.

Ambasada u sulmua nga disa mbështetës të Kishës Ortodokse serbe dhe tifozë të Yllit të Kuq. Ata kanë tentuar të djegin flamurin e Malit të Zi duke përdorur mjete piroteknike. Megjithatë raportohet se flamuri është zëvendësuar menjehrëherë mëngjesin e së premtes, bëjnë të ditur mediat malazeze.

Ligji i miratuar javën e kaluar në Parlamentin e Malit të Zi për liritë fetare, ka nxitur shqetësime për marrje të pronës së kishës nga shteti, prandaj ky dokument është kundërshtuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila ende ka pozicion udhëheqës në kishat ortodokse në Malin e Zi. Ky ligj ka nxitur protesta të dhunshme në mesin e malazezëve pro-serbë, zemërim mes serbëve dhe përballje të ashpër fizike në Parlamentin e Serbisë, ku ligjvënësit kanë thënë se Qeveria serbë është duke bërë shumë pak për të mbrojtur Kishën Ortodokse Serbe në Malin e Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë