Politike

Sulmet kibernetike, Meta: Zgjidhja, dorëheqja e Ramës  

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha të martën se  sulmet kibernetike të Iranit ndaj portaleve qeveritare kanë cenuar sigurinë kombëtare. Ai i kërkoi qeverisë të tregojë  masat që janë marrë për të forcuar sistemet.

“Kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për të mbrojtur sistemin dhe për të rivendosur besimin e qytetarëve. Nuk mund të mos nënvizoj që në fillim se kryehakeruesi i këtij sistemi është Edi Rama, sepse kjo u provua botërisht nga dalja e të dhënave personale të gati 1 mln qytetarëve para zgjedhjeve dhe përdorimi i tyre nga patronazhistët vetëm për qëllimet të shantazhit elektoral.

Ishte Rama që mbështeti gjithë këtë proces kriminal që e shfrytëzoi për të përmbysur vullnetin e popullit shqiptar në zgjedhjet e 21 prillit. U hakeruan pagat, në dhjetor dolën edhe numrat e qytetarëve, targat  e makinave, më pas u hakerua e-Albania dhe të dhënat u nxorën nga hakërruesit në shitje, u godit sistemi TIM-s, që është çudi e jashtëzakonshme. U godit edhe firma ALEAT. U godit sistemi i Policisë së Shtetit, sa i takon gjobave. U bllokua sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe nuk lëshohen vërtetime gjyqësore.

Janë hakeruar serverat e kamerave të policisë së shtetit. Të bëhet transparencë se çfarë ka ndodhur realisht, lidhur me masat dhe planin e rivendosjes në punë dhe garantimin e sigurisë së sistemeve. Prokuroria të bëje hetim të theluar, për evidentimin e përgjegjësisë së qeverisë dhe institucioneve të tjera, veprimet dhe mosveprimet që kanë sjellë këtë situatë", tha Meta.

Kryetari i PL-së shtoi se sulmet në fjalë tregojnë papërgjegjshmëri nga ana e qeverisë

“...Deri më sot nuk është bërë asgjë. Vetëm dorëheqja e Ramës mund të vendosë besimin tek shteti, institucionet dhe siguria kombëtare dhe publike”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë