Motosport

Sulme raciste ndaj Ljuis Hemilton, reagon FIA: Abuzime të papranueshme

Incidenti mes Ljuis Hemilton dhe Maks Vershtapen në xhiron e parë të garës së Silverston ka krijuar shumë polemika dhe diskutime të çdo natyre. Hemilton u konsiderua fajtor nga komisarët e garës, që e dënuan me 10 sekonda, megjithatë anglezi ia doli të fitonte. Vershtapen u përplas me barrierat dhe doli nga gara.

Përplasja verbale pas garës mes skuderive Red Bull dhe Mercedes, si dhe dy pilotëve rivalëv e ka ndezur situatën, sidomos pasi Vershtapen e akuzoi Hemiltonin si të rrezikshëm dhe pa respekt, pasi anglezi festonte, kur holandezi ishte në spital.

Momenti i perplasjes mes Vershtapen dhe Hemilton. Gazeta Si, 19 korrik 2021

Dhe nuk munguan reagimet në rrjetet sociale. Në kanalet zyrtare të Mercedesit në rrjetet sociale janë dërguar mesazhe raciste ndaj Hemiltonit, mes tyre emoji majmunësh dhe sulme të tjera. Sot skuderia gjermane dhe FIA kanë dalë me një deklaratë, ku dënojnë këto sulme:

“Gjatë dhe pas garës në Angli, Hemilton ishte objekt i sulmeve raciste për shkak të atij incidenti. Formula 1, FIA dhe Mercedes-AMG Petronas dënojnë ashpër këtë sjellje. Këta persona nuk kanë vend në sportin tonë dhe kërkojmë që fajtorët të mbajnë përgjegjësi. Formula 1, FIA, pilotët dhe skuadrat po punojnë për një sport sa më gjithpërfshirës dhe argëtues, ndaj këto sulme duhen eleminuar”.

Më pas ka ardhur edhe solidariteti i Red Bull-it: “Rivalë në pistë, por jemi të gjithë të bashkuar ndaj racizmit. Dënojmë abuzimet e çdo lloji ndaj skuadrës tonë, kundërshtarëve dhe fansave. Ndjejmë keqardhje për sulmet raciste ndaj Ljuisit pas incidentit me Maksin. Nuk ka justifikime, nuk ka vend për racizëm në sport”.

Duhet theksuar se Ljuis Hemilton, një javë më parë mbajti qëndrim për sulmet raciste ndaj futbollistëve të Anglisë, të cilët humbën penalltitë në finalen e Europianit ndaj Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë