Politike

Rama për ‘Der Spiegel’: Muxhahedinët nuk do të largohen

Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama është shprehur kundër largimit të anëtarëve të opozitës iraniane në ekzil nga Shqipëria, pas sulmit kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Der Spiegel”, Rama tha se Shqipëria e ka traditë mikpritjen e njerëzve që janë në rrezik.

“Sfondi i sulmit është me sa duket, prania e disa mijëra anëtarëve të opozitës iraniane, të cilët po punojnë aktivisht për ndryshimin e regjimit në Iran dhe po bashkëpunojnë me SHBA, të ashtuquajturit Muxhahedinë të Popullit (MEK). Në vitin 2013, vendi juaj pranoi MEK-un nga Iraku me kërkesë të Uashingtonit. Do të parapëlqenit që të largoheshit sot nga ky grupim?”, u pyet Rama nga gazetarët gjermanë.

“Jo, Shqipëria ka një traditë për t’u krenuar për të strehuar njerëzit në rrezik. Dhe aleanca jonë strategjike me SHBA-në nuk mund të nënkuptojë thjesht se Uashingtoni ka gjithmonë mbështetjen tonë. Ndonjëherë duhet ta ndihmojmë edhe SHBA-në. Shqiptarët u detyrohen shumë amerikanëve”, u përgjigj ai.

Ndërsa për kërcënimin që po i bën lufta në Ukrainë të gjithë botës, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, Rama tha se duhet të bëhet kujdes pasi ndikimi i Rusisë në Beograd është i madh dhe mund të shndërrohet në diçka të tmerrshme.

Rama u shpreh se Putin hedh provokime të vazhdueshme, por do të bëjnë të pamundurën për të parandaluar konfliktet.

Gjatë intervistës, Rama e pranoi se në vend ka varfëri, ndërsa shton se deri më tani “nuk kemi arritur ta fusim ekonominë në rrugën e duhur”.

Po ashtu, gazetari gjerman i kujton kryeministrit se edhe një vizitë te mjeku në Shqipëri duhet të sigurohet me ryshfet. Megjithatë, kreu i qeverisë këmbëngul se administrata është tashmë e digjitalizuar dhe hapësirat për korrupsion janë ngushtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë