Ekonomi

Suficiti buxhetor, qeveria i vendos kushte vetes

Nga Gazeta ‘SI’ - Qeveria synon që prej 2024-s t’i mbyllë vitet me suficit buxhetor. Ky qëllim i qeverisë është shprehur së fundmi më dokumentin e programit buxhetor ku thuhet se “Ligji Organik që rregullon buxhetin e shtetit, do të ndryshojë në 2024-n, kur balanca primare faktike nuk mund të rezultojë negative, pra duhet të jetë së paku e balancuar ose pozitive (suficit primar).”

Sipas shpjegimit të dhënë, ky vendim është rekomandim nga KE dhe po ashtu parim kryesor i BE-së. 

“Ky target do të përbëjë tashmë dhe në vijimësi objektivin kryesor operativ të politikës fiskale për të materializuar synimin e një trajektore vijimësisht rënëse të borxhit publik, pra duke synuar konsolidim të vijueshëm fiskal me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së financave publike si një fondament kyç i stabilitetit makroekonomik dhe mbarë-vajtjes së ekonomisë së vendit”, - thuhet në dokment, ku parashikohet se ky regjim i ri do të reduktojë me 5.5% borxhin publik ndaj PBB-së, deri në 2025-n.

Balanca Primare tregon se si qeveria financon shpenzimet e saj.

Për periudhën 2023-2025, qeveria ka parashikuar rritje të qëndrueshme të ekonomisë, drejtuar nga konsumi privat, “për shkak të rritjes së besimit konsumator dhe tregut të punës”. Për 2022-shin dhe 2023-shin, parashikimi i qeverisë për rritjen ekonomike është 4.2% dhe për 2024-2025, rritja e parashikuar ulet në 3.9%.

Në programin buxhetor afatmesëm 2023-2025, parashikohet rritje e kredimarrjes si nga përmirësimi i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar në periudhën afatmesme.

Ndër objektivat kryesore që theksohen në dokumentin e publikuar në Fletoren Zyrtare, është kryesore ajo e përfshirjes e më shumë të rinjve në skemat e punësimit, grupmoshave mbi 50 vjeç dhe personave nga grupe të pafavorizuara, si dhe diversifikimi i shërbimeve turistike, për ta bërë atë një aktivitet vjetor dhe jo vetëm sezonal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë