Ekonomi

Skenarët e qeverisë për 3 vitet e ardhshme: Pritet rënia e ndërtimit dhe…

Nga Gazeta ‘SI’ - Në skenarët e parashikuar për 3 vitet në vijim nga qeveria e Shqipërisë, pritet një rënie e rritjes së PBB-së në vend dhe çdo komponenti të saj, nga konsumi tek import.

Sipas grafikëve në dokumentin e sapomiratuar, “Për reformat ekonomike 2023-2025”, në vitin 2023, parashikohet një rritjet e PBB-së deri në 2.6%, ndikuar përsëri nga efektet e zgjatura të  krizës në BE. Po për të njëjtin vit, investimet parashikohen të rriten deri në 3.3%, konsumi privat 1.7%, eksportet 3.3% dhe importet 1.6%.

Konsumi final për periudhën 2023–2025 pritet të ngadalësohet në një rritje mesatare 2.4% në vit dhe duke ulur kontributin në e saj në rritjen e PBB-së, në 2.1 pikë përqindjeje në vit

Investimet totale në ekonomi, parashikohen të rriten më pak se vitet e shkuara, me 3.2% mesatarisht, në vit, me një kontribut prej vetëm 0.7 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së vjetore.

Rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve për të njëjtën periudhë, pritet të bie deri në 4.3% në vit, me një kontribut prej 1.8 pikë përqindjeje në rritjen e PBB për çdo vit. Ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve për të njëjtën periudhë, do të rriten me vetëm 2.2% në vit dhe pritet të kenë kontribut negativ në rritjen e PBB me rreth 1.1 pikë përqindjeje në vit.

Rritja e aktivitetit të sektorit parashikohet po ashtu në rënie, përveç bujqësisë që do të shikojë një rritje deri më 2.5% në vit, pas disa viteve jo shumë pozitive për të.

Qeveria pret një “zëvendësim” të ndërtimit me shërbimet, ku kjo e fundit duket të jetë fusha me rritjen më të madhe për 2023-2025.  Shërbimet pritet të rriten në 3.9% në vit, mesatarisht dhe ndërtimi me 2.3%. Industria pritet të rritet me një mesatare vjetore prej 3.8%.

Tregu i punës pritet të ketë një rritje minimale gjatë trevjeçarit, me 0.5% në vit, me bizneset e shërbimit si kontribuues kryesor të kërkesës për punë. Papunësia pritet të vazhdojë rënien graduale duke arritur në 9.8% në vitin 2025.

Në rast të jetësimit të një skenari “pesimist”, rritja ekonomike e Shqipërisë mund të goditet deri në 1.5 pikë përqindje më pak për çdo vit nga parashikimet që janë shënuar më lart. Në rast të një skenari më optimist, ajo mund të rritet deri në 0.5 p.p më i lartë në vit, krahasuar me skenarin bazë.

Në dokumentin e publikuar në Fletoren Zyrtare, theksohet se borxhi publik do të ketë një rënie graduale, ndërsa balanca primare do të rikthehet në nivel pozitiv që prej vitit të ardhshëm 2023 dhe do të vijojë e tillë në vijim. Shpenzimet kapitale do të jenë deri në 5% të PBB-së në çdo vit buxhetor.

Deficiti buxhetor për vitin 2023 planifikohet të jetë në nivelin 2.6% të PBB nga rreth 3.2%  i pritshëm për vitin 2022. Për periudhën afatmesme 2023–2025, deficiti buxhetor parashikohet mesatarisht në rreth 2.3% në vit.

Për vitin që lamë pas, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 68.8% të PBB-së nga rreth 73.2% në vitin 2021 dhe pritet të vazhdojë të bjerë më tej në rreth 67.5% në vitin 2023. Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 64.2% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 54.9% deri në vitin 2031.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë