Suadela Balliu - Trembëdhjetë vite! Aq i ishin dashur për ta sjellë në jetë vizionin që iu fanit teksa lexonte novelën “Çiftja” të shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. I kishin hyrë apo u kishte hyrë thellë nën lëkurë atyre tri grave, që përmes tri letrave shpalosnin botën, ëndrrat, pengjet, mëkatet, dashurinë e që, përmes atyre rreshtave –veshur me mjeshtërinë letrare dhe joshjen një kulture të largët të Lindjes po aq të largët – kishin vizatuar portretin e një burri, rreth të cilit sillej pothuaj jeta e secilës.“Në regji teatri erdha thuajse aksidentalisht”, rrëfen Suela Bako, e cila pas vitesh përvojë si regjisore televizioni, pas rikthimit intensiv prej pesë vitesh si aktore e skenës, vendosi të bëjë debutimin si regjisore teatri me shfaqjen “Tri gra dhe Misugi”, premiera e së cilës erdhi mbrëmjen e 18 tetorit në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” e që do të jetë për një javë për publikun kryeqytetas.
Ka zgjedhur të mos fshehë asgjë, të jetë krejt e hapur dhe e sinqertë me publikun, që në sallën “Goethe”, e rrethon nga të katërta anët. Një skenografi, por edhe një zhvillim i dramatizimit, i konceptuar në treqindegjashtëdhjetë gradë, me elementë minimalë, që evokojnë njëherazi fillin qendror të dramës në tri letra dhe po ashtu edhe kulturën japoneze. Një letër e madhe e shtruar në dysheme, e cila griset dhe shqyhet me tensionin që kulmon, nga njëra grua tek tjetra, shandanë të kuq mbi krye dhe elementë qelqi, që siç thotë Bako përçon idenë e tejpashmërisë.
Vepra, e ardhur fillimisht në shqip me përkthimin e Helena Kadaresë, u ripërkthye dhe u konceptua në gjuhë skenike, për t’i dhënë dinamikën që i nevojitet lojës aktoriale nga Anxhela Çikopano dhe u konceptua nga regjisorja si shfaqje brenda shfaqjes. Kostumet dhe skenografia iu besuan Laedia Hajdarit. “Doja aq shumë ta luaja këtë shfaqje, sa u detyrova ta marr e ta çoj vetë përpara”, thotë Bako, ndërsa shton se pati edhe ndihmën e bashkëshortit, aktorit Romir Zalla, për të cilin thotë se është bashkëregjisor në këtë shfaqje.
Edhe kasta e aktorëve është e vogël, ku përveç Zallës, i cili vjen në rolin e një regjisori në përgatitje të vënies në skenë të një shfaqjeje që titullohet pikërisht “Tri gra dhe Misugi” dhe Anila Muçaj, në rolin e asistentes së regjisorit. Kolona zanore e shfaqjes vjen me emocione përsëgjalli nga violinistja Elona Islamaj. Teatri brenda teatrit duket si një mekanizëm i përsosur që legjitimon ethet e Bakos, jo vetëm për ta vënë në skenë këtë shfaqje, por edhe për të interpretuar ato tri gra me fizionomi dhe mosha të ndryshme. Kështu barra e saj bëhet katër apo edhe pesëfishe nëse kihet parasysh se veç regjisë, ajo është në skenë aktorja që interpreton tre personazhe.
“Teatri brenda teatrit më jep mundësinë të jem edhe brenda edhe jashtë. Ky është një luks që më jep mundësinë edhe të mos i shkoj deri në fund kulturës japoneze.” Edhe pse, pranon ajo, nëse do të kishte një peng që do i mbetej pas kësaj shfaqjeje do të ishte se “nuk i vajta deri në palcë kulturës japoneze.”Thotë se kërkoi mbështetje nga Ambasada e Japonisë në Tiranë, por u përcoll ftohtë me ftesën për të ardhur vitin që vjen. “Por nuk mund të prisja më”, thotë regjisorja.
“Për trembëdhjetë vite nëna më gënjeu” , thotë Shokoja, gruaja e parë me të cilin e nis monologun aktorja, pas debatit me regjisorin për të kuptuar më thellë burrin rreth të cilit e shtjellin rrëfimin dhe jetën këto gra. Koha rreth së cilës sillet subjekti, ajo e zhvillimit të një dashurie të ndaluar, “që askush nuk e bekon” -thotë gruaja e parë-përkon me kohën që iu desh Bakos për ta sjellë këtë shfaqje. Janë tri gra, lëkurët, petkat dhe zërin e të cilave Bako i vesh dhe i zhvesh në një orë e gjysmë shfaqje.“Duke e vënë si një aktore, me një regjisor, motivohet edhe fakti që unë luaj një personazh njëzetvjeçar”, rrëfen Bako, ndërsa i referohet personazhit të Shokosë. Ndërsa dy gratë e tjera; Midori dhe Saiko janë përkatësisht tridhjetë dhe dyzet vjeç.
“Nëse ka një qëllim që i përmbush kërkesat që kam pasur unë për këtë vepër, është ta ruaj veten nga ky paragjykim; pse luaj një personazh njëzetvjeçar. Pse nuk e luan një aktore 20-vjeçare? Sepse kjo është ëndrra ime prej 13 vitesh”, pranon ajo. Vështirësia më e madhe, nuk ishte zbërthimi i tre karaktereve që i përkasin një kulture të largët apo përgjegjësisë së madhe që binte mbi të, pasi kishte dëgjuar se ishin të shumtë njerëzit që e njihnin veprën e Inoues, por prurja në skenë e prapaskenave që mbështjellin shpesh aktorë dhe regjisor. “Nuk ishte e lehtë të ktheja një dialog jetësor mes regjisorit, asistentes dhe aktores, që të kapnin standardin e shkrimtarit. Por, u përpoqa shumë dhe, me një çelës të vogël, elegant, me gjetjen e disa profesionistëve, sollëm një debat profesional”.
Një prej sfidave të saj, rrëfen se, ka qenë t’i rrëfejë publikut çfarë ndodh pas perdes së skenës, në laboratorin e krijimit. “Ishte dëshira për të përcjellë atë përpëlitjen e krijimit. Doja të zbërtheja edhe më shumë, por kam munda”. Thotë se nëse do ta kishte të mundur do të vendoste në skenë, edhe rekuizitorin, edhe grimieren, edhe teknikët e skenës. “Doja të rrëfeja se nuk është kapricioz artisti, por përpëlitja në kërkim të zgjidhjes, të realizimit të finales. "Lumturi për të nuk është finalizimi me premierën, por procesi që e çoi deri aty. Dy muaj prova dhe shndërrimi i teatrit eksperimental në “shtëpi të dytë”, ndërsa thotë se pati mirëkuptimin e drejtorit Kiço Londo, për këtë produksion privat.
Një tjetër habi, ishte edhe mbështetja që gjeti nga Ministria e Kulturës, edhe pse ajo dhe i shoqi, Romir Zalla, kanë qenë të pamunguar në protestat për ruajtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. “Kur e ndava mendjen për këtë shfaqje dhe ishte debati se mund të shkatërrohej teatri, thashë: “E bëj edhe në rrugë!” E kisha shumë seriozisht. Mund të dilte shumë modeste, por bëhet”, thotë ajo, ndërsa shton se duket se tani të gjithë produksionet po drejtohen nga skena e Teatrit Eksperimental.Në skenë, Bako e cila përpara se të shndërrohet në rolin e Midorit bashkëshortes së Misugit, vijon debatin me regjisorin sesi ta sjellë personazhin, ndërsa regjisori i sugjeron të interpretojë sikur të ishte duke e shkruar në çast atë letër, ku bazohet monologu.
Tashmë ajo shndërrohet në një grua më të pjekur, por me një mëdyshje të gjatë trembëdhjetë vjeçare që ia ka plagosur vetëbesimin dhe vlerësimin, e cila me gjithë inatin ndaj tradhtisë së bashkëshortit, me të gjitha flirtet që është përpjekur t’i tregojë vetes dhe atij se ëhtë një grua e dëshiruar, vazhdon ta dashurojë dëshpërueshëm të shoqin. “Një gjë tjetër që më intrigon është ajolloj kimie apo ndjeshmërie e tepruar që krijohet në këtë lloj profesioni. Por jo vetëm këtu, besoj në çdo art. Brenda nesh ngrohen ca kuçedra, gjëra të bukura dhe të shëmtuara, të mira e të këqija, sentimentale dhe mentale, të cilat kam dashur t’i përcjell.” Kështu lotët e saj në skenë të krijojnë atë ndjesinë intime, por edhe hutuese, nëse ishte personazhi që mallëngjehej teksa në një letër kalon jetën në retrospektivë është aktorja, që ka marrë përsipër t’i interpretojë këto tri gra apo është regjisorja që ia doli ta sjellë, ashtu siç e kishte imagjinuar prej shumë vitesh këtë shfaqje.
“Kjo vepër komunikon gjëra të jashtëzakonshme. Më duket sikur jemi larguar shumë prej këtyre sepse njerëzit merren me politik, me biznesin e spektaklit, thashetheme. Është vepër shumë njerëzore”, zbulon regjisorja. Vendosur në kontekstin perëndimor të ditëve të sotme, hendeqet mes një kulture të largët zbehen dhe ndjenjat që përçohen janë universale. Letër pas letre, grua pas gruaje dashuria shndërrohet si në një tablo të pambaruar, së cilës i shtohen ngjyra. Idilizmit të dashurisë romantike të një vajzë njëzet vjeçare, i shtohet xhelozia dhe dëshpërimi i një gruaje të martuar dhe tragjizmi i Saikos, dashurisë së ndaluar, i jep penelatat e fundit.
E lodhur së jetuari, e konsumuar nga një pasion si “një varkë që digjet në mes të detit, nga të mashtruari të gjithë në një dashuri, “si një lumë i nëndheshëm që nuk dihet nga vjen e ku shkon” dhe e përndjekur nga një ndjenjë shumëvjeçare faji, letra e Saikos sjell pyetjen dhe dilemën e madhe njerëzore “Të duash apo të të duan?” Ky burrë, i dashur dhe i urryer njëherazi nga këto tri gra, i ftohtë, me një pasion për gjuetinë, kërkon të vrasë vetminë apo egoizmin? Këtu debati mes regjisorit dhe aktores bëhet i zjarrtë, ndërsa kimia mes bashkëshortëve vjen e pakursyer edhe në skenë. Mbase është edhe kjo lirshmëri që i jep puna me Zallën, që e bën Bakon të sjellë një shfaqje të sinqertë, pa i ikur syrit qëmtues të publikut.
Bashkëpunimet me të shoqin nisin që herë. “Që kur më përgatiste për të konkurruar në shkollë të lartë. Atëherë isha tetëmbëdhjetë vjeç”, kujton regjisorja, ndërsa edhe pasi nisi studimet në Akademinë e Arteve rrugët e tyre u takuan prapë. “Romiri ishte asistent pedagog dhe ndonjëherë luante rolet e meshkujve në shfaqje, sepse kishim pak djem në kursin tonë.”U rikthyen në skenë me “Një jetë me ty” “E mbajtëm në skenë për goxha kohë dhe më dhimbset që u mbyll.”, thotë Bako, ndërsa shton. “Ka momentet e veta delikate si marrëdhënie, por mendoj se jemi më shumë shokë sesa burrë e grua dhe kjo e lehtëson shumë punën.” Ose të jep rehatinë që shfaqjen ta marrësh me vete e ta diskutosh edhe në shtëpi, siç kanë bërë gjatë këtyre dy muajve.
Thotë se përfshirja në protestën mbi teatrin e ka bërë të presë edhe t’i mbyllen dyert, ndërsa për një tjetër shfaqje që do e sillte sërish si regjisore në teatër, thotë: “Kur mendoj se kam trembëdhjetë vjet me këtë gjë në kokë, them se duhet të kalojnë edhe trembëdhjetë të tjerë.” Por e pranon se e ka diçka që i sillet si vizion regjisorial, prej disa kohësh. “Mbase është ajo, sepse i ka kaluar disa vite që i mendoj.”
Rikthimi në teatër e bëri të derdhë të gjithë përvojën që kishte grumbulluar prej vitesh dhe nga dëshira për skenën, nuk është ndalur të peshojë nëse rolet që i janë ofruar kanë qenë të mëdhenj apo të vegjël. “Kur shkoja në premiera në teatër më ndodhte të qaja në fund. Njerëzit thoshin: kaq shumë u preke? Por Romiri e dinte se, më shumë sesa prekesha, e kisha me veten se përse nuk e bëja unë.” Por, për gjërat që mendon se nuk i zotëron mirë, parapëlqen të presë. Edhe me këtë shfaqje, rrëfen se para tre vitesh nuk do të guxonte.
Ia ka dalë të krijojë secilën figurë aktorja, edhe pse ndryshe nga ato gra refuzon të besojë se gjithçka sillet pas një burri të vetëm, por në kulmin e tensionit dhe të shpalosjes së një universi mbushur me ndjenja shpesh kundërshtuese, zbulohet se ai burrë, Josuke Misugi, është regjisori vetë, i cili me këtë shfaqje rreket të sjellë historinë e tij, një rrëfim dhimbjeje dashurish të humbura, gënjeshtrash e mungese. Gruaja që u jep frymë dhe zë këtyre tri grave përcjell tek publiku atë vërtetësi dhe hapje të botës intime që vetëm përmes një letre, lexuar vetes, do të guxohej të thuheshin me zë të lartë...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.