Njerez

Studimi: Qeveria cënoi liritë dhe të drejtat e njeriut gjatë pandemisë së Covid-19 në Shqipëri

Në Tiranë, një studim i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim thekson se autoritetet shtetërore cënuan standartet demokratike dhe të drejtat njerëzore gjatë menaxhimit të pandemisë së Covid-19.

Studimi përmban disa nga mësimet e nxjerra nga menaxhimi i pandemisë së Covid-19 në këndvështrimin ekonomik, juridik, të drejtave njerëzore dhe demokracisë.

Një ndër problemet kryesorë i nënvizuar në studim është se në fillim të pandemisë qeveria ndryshoi ligjin e prokurimit publik dhe nuk ndiqeshin më procedurat ligjore normale, por të përshpejtuara dhe me kompani që përzgjidheshin në mënyrë të paqartë, çka ngriti dyshimet për korrupsion.

Autori i studimit, Romario Shehu, thotë se shumë nga vendimet e qeverisë u shpallën pa u miratuar në Kuvend dhe pa konslutime publike, çka cënoi të drejtat e njeriut.

Një tjetër problem, thotë ai, ishte liria e shprehjes, sepse gazetarët nuk lejoheshin të merrnin pjesë në konferencat për shtyp të autoriteteve, gjë që i dha hapësira keqinformimit, madje dhe media u cilësua si një faktor dëmtues.

“Besoj se ju kujtohet gjatë asaj periudhe, edhe vet kryeministri dërgoi mesazhe për njerëzit në telefona, ku deklaronte që ata kishin kujdes nga mediat, se ato iu keqinformojnë. Kjo ishte një lloj sulmi ndaj medias”, tha zoti Shehu.

Në raport thuhet se “praktikat e 'tenderave sekretë' dhe lejimi i institucioneve publike të kontraktojnë kompani pa tender publik mund të gërryejnë besimin e publikut tek institucionet dhe dëmtojnë qeverisjen e mirë dhe demokracinë në vend”.

Por drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, thotë se përvoja tregoi që ligjet e kësaj fushe kanë hapësira për t’u plotësuar dhe integruar me tyre.

“Janë shumë gjëra ku ka boshllëqe ligjore, për të cilat një institucion, apo drejtues institucioni vihet para faktit se ku duhet të mbështetet që të veprojë. Edhe kjo është një urgjencë për sa i përket punës institucionale dhe ndërinstitucionale”, thotë zoti Brataj.

Gjatë Pandemisë qeveria nënshkroi 15 tendera sekretë, gjithsej 37.6 milionë euro. Tenderime të tilla u cilësuan me risk, problematike për garën apo konkurrencën.

“Vendimi për shpalljen e të gjitha tenderave si “interesa thelbësore të shtetit” ngriti shqetësime për keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore, favorizim, dyshime korrupsioni, si dhe shkelje të interesit publik”, thuhet në raport.

Drejtuesja e Qendrës Open Data Albania, Aranita Brahaj thotë se marrëdhëniet e qeverisë me firmat ishin klienteliste, pa transparencë dhe pa integritet, e megjithatë kontratat secrete të qeverisë qeverisë nuk arritën të prokuronin furnizimet mjekësore në kohë.

“Qeveria shqiptare jo vetëm nuk bëri transparencë, jo vetëm u orientua një formë blerje tek klientë të mëparshëm, por edhe dështoi të siguronte në kohën e duhur disa materiale, të cilat ishin shumë të rëndësishëm për jetën e njerëzve si testet dhe aparatet që kanë të bëjnë me trajtimin e pacientëve terminalë”, thotë zonja Brahaj.

Juristja Ardita Kolmarku solli të dhënat e një Barometri Kombëtar të përgatitur nga Komiteti i Helsinkit, sipas të cilit qytetarët ishin të painformuar mbi ndryshimet ligjore, që u bënë gjatë pandemisë, ndërsa vlerësuan si të panevojshme gjobat e rënda dhe antikushtetuese, aktet normative me masa represive për një vend demokratik.

Ata cilësuan të tepërta kufizimet në lirinë e lëvizjes drejt spitaleve, ndërsa masat për ndalimin e tubimeve ishin joproporcionale.

"Qytetarët e kanë vënë theksin që edhe ndalimin që qeveria ndërmori kundrejt përfaqësuesve të shoqërisë civile, apo qytetarët e thjeshtë aktivistë, të cilët vërshuan në protesta për të mbrojtur kauzat e tyre në tubime paqësore, ishte një kufizim lëvizje i panevojshëm", thotë juristja Kolmarku.

Shqipëria ndërmori masa të ashpra për të parandaluar përhapjen e COVID-19, si kufizim lëvizje, gjoba për shkeljen e karantinës, kriminalizimin e shkeljes së karantinës dhe infektimit të qëllimshëm, si dhe përdori forcat e policisë dhe ushtrisë për të zbatuar këto masa.

E drejta e tubimit u pezullua dhe lëvizja u kufizua ndjeshëm. Veprimtarët e shoqërisë civile dhe Avokati i Popullit kanë shprehur shqetësimin se këto masa cënuan të drejtat dhe liritë e qytetarëve. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë