Ushqim

Studimi i ri / Dieta me bazë bimore ndihmon në luftimin e diabetit dhe shtimit të peshës

Ngrënia e një diete me bazë bimore mund të bëjë mrekulli për shëndetin tuaj. Studimet kanë gjetur se kufizimi i mishit të kuq dhe ngrënia e drithërave të plota, bishtajore dhe një shumëllojshmërie frutash dhe perimesh shumëngjyrëshe mund të ulë kolesterolin dhe rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, të parandalojë diabetin e tipit 2 dhe madje të zgjasë jetën e njeriut.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për parandalimin e diabetit, këto përfitime mund të shfaqen vetëm nëse dieta me bazë bimore është një dietë e shëndetshme që redukton ushqimet që janë shumë të përpunuara ose të ngarkuara me sheqer, sipas një studimi të ri që analizoi 206 lloje të ndryshme ushqimesh.

Analiza 12-vjeçare e modeleve dietike të mbi 113,000 pjesëmarrësve të studimit të Biobank në Britani, një studim gjatësor i shëndetit midis banorëve të vendit, i vendosi njerëzit në katër kategori bazuar në marrjen e frutave, perimeve dhe drithërave të freskëta.

Krahasuar me njerëzit që konsumonin ushqime të përpunuara, ata që hanin më shumë drithëra, fruta dhe perime të freskëta dhe kufizuan marrjen e opsioneve jo të shëndetshme, reduktuan rrezikun e diabetit me 24%, sipas studimit të botuar të martën në revistën Diabetes & Metabolism.

Njerëzit që konsumonin dietën më të shëndetshme kishin gjithashtu indeks të masës trupore dhe perimetër më të ulët të belit, si dhe nivele më të mira të sheqerit në gjak.

“Përfitimi shtrihej tek njerëzit e predispozuar gjenetikisht ndaj diabetit dhe ata që kishin faktorë të tjerë rreziku për diabetin, si obeziteti”, zbuloi studimi.

“Këto të dhëna janë vërtet të rëndësishme, veçanërisht për ata që mendohet se janë në rrezik të lartë të zhvillimit të diabetit të tipit 2, pasi kjo tregon se ata mund ta zvogëlojnë rrezikun e tyre duke ndjekur një dietë të shëndetshme me bazë bimore,” tha autorja Alysha Thompson.

Megjithatë, njerëzit që hanin dietën më pak të shëndetshme me bazë bimore kishin një rrezik 37% më të lartë për të zhvilluar diabetin e tipit 2, së bashku me një perimetër më të madh të belit dhe nivele më të larta të triglicerideve, një formë e kolesterolit, zbuloi studimi.

Si ndihmon një dietë e shëndetshme me bazë bimore në mbrojtjen e trupit nga diabeti i tipit 2? Duke ndikuar në një sërë mekanizmash antidiabetikë “përfshirë sheqerin në gjak dhe nivelet e lipideve dhe uljen e yndyrës së trupit”, tha Thompson.

Një gjetje tjetër ishte roli i rëndësishëm i luajtur nga veshkat dhe mëlçia në reduktimin e rrezikut të diabetit të tipit 2, tha bashkëautori Aedin Cassidy, profesor për Sigurinë Ushqimore Globale të Universitetit Queen Belfast.

“Për herë të parë kemi treguar se përmirësimet në metabolizmin dhe funksionin e mëlçisë dhe veshkave si rezultat i një diete të shëndetshme me bazë bimore, mund të shpjegojnë se si kjo dietë mund të zvogëlojë rrezikun e diabetit të tipit 2,” tha Cassidy.në një deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë