Shendet

Studimi, antitrupat e vaksinës Sinovac bien pas rreth 6 muajsh. Hipotezë për një dozë të tretë

Antitrupat e aktivizuar nga vaksina kineze e Sinovac e quajtur CoronaVac (bazuar në një virus të inaktivizuar dhe e përdorur gjerësisht edhe në Shqipëri), duket se pësojnë një rënie nën "pragun e pritur" rreth gjashtë muaj pas injektimit të dozës së dytë.

Studimi edhe mbi dozat e treta

Kjo mbështetet nga një studim (jo i rishikuar nga agjencitë e tjera shëndetësore në botë), i kryer nga studiues nga autoritetet e kontrollit të sëmundjeve infektive në provincën Jiangsu, nga Sinovac dhe institucione të tjera kineze.

Hulumtimi shqyrtoi mostrat e gjakut nga të rriturit e shëndetshëm, midis moshave 18 dhe 59 vjeç. Midis pjesëmarrësve që morën dy doza, dy deri në katër javë me distancë, gjashtë muaj më vonë, vetëm 16.9% dhe 35.2% përkatësisht, ende kishin antitrupa neutralizues mbi ato që studiuesit e konsideruan "një prag i zbulueshëm”.

Në eksperiment, shkencëtarët gjithashtu administruan doza të treta të vaksinës (ose placebo) në një total prej 540 pjesëmarrësish, përsëri gjashtë muaj pas dozës së dytë.

Këta njerëz, treguan një rritje në nivelin e antitrupave rreth 3-5 herë në krahasim me pragun e vërejtur katër javë pas dozës së dytë, një shenjë e një efekti të fortë përforcues.

Nuk dihet ende "niveli i pragut"

Në realitet, shkencëtarët nuk bien dakord për administrimin e dozës së tretë dhe mbi cilin instrument dhe cilat nivele masin "rënien" reale (ose jo) të kujtesës imune njerëzore.

Në fakt, aktualisht nuk dihet se cili është "korrelacioni i mbrojtjes", niveli i matshëm numerik i përgjigjes imune mbi të cilën mbrohet dhe nën të cilin është, përsëri i ndjeshëm.

Mund të ndodhë që edhe një nivel i përgjysmuar, ose 5-10 herë më i ulët i përgjigjes imune, ende mbron nga ri-infektimi. Testet serologjike në dispozicion, nuk parashikojnë kohëzgjatjen e mbrojtjes dhe të kesh "pak antitrupa" nuk do të thotë të jesh i prekshëm.

Në fakt, është normale që antitrupat të bien me kalimin e kohës, niveli i tyre rritet kur personi kthehet në kontakt me virusin. Për më tepër, antitrupat nuk janë arma e vetme e sistemit imunitar: ka edhe limfocite T dhe qeliza të tjera të kujtesës për të cilat ende nuk ka teste të përhapura. Për të kuptuar se kur zgjat mbrojtja, duhet të mbështetemi tani vetëm te infeksionet në botën reale.  

Studimet e vaksinave të fazës 3, filluan 8-9 muaj më parë dhe na tregojnë që njerëzit e vaksinuar atëherë janë të mbrojtur edhe sot.

Çfarë thonë agjencitë rregullatore

Për këtë arsye, në Itali Shoqata Italiane e Mjekësisë së Përgjithshme dhe Kujdesit Parësor (Simg) beson se dozat e vaksinës të administruara aktualisht janë të mjaftueshme për të siguruar një mbulim efektiv të virusit në qarkullim, duke përfshirë variantet e tjera, dhe se një dozë e tretë nuk është e nevojshme për momeentin: “Edhe në subjektet e imuno-supresionit, doza e tretë e vaksinës nuk rrit efektivitetin e dozave të para - shpjegon Ignazio Grattagliano, anëtar i Simg -. Do të ishte pra një përpjekje e kotë”.

I të njëjtit mendim, është edhe  Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, e cila, në një shënim të përbashkët me Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive (CDC), deklaroi se "amerikanët plotësisht të vaksinuar nuk kanë nevojë për një dozë përforcuese në këtë kohë", duke nënvizuar se nuk i takon kompanive individuale të vendosin nëse dhe kur do të jetë e nevojshme tërheqja.

Edhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), tha: "Është shumë herët për të konfirmuar, nëse dhe kur do të nevojitet një dozë përforcuese për vaksinat Covid-19, sepse nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme nga fushatat dhe studimet e imunizimit për të kuptuar se sa kohë mbrojtja nga vaksinat do të zgjasë”.

Padyshim që kompanitë farmaceutike po studiojnë dozat e treta dhe po bëjnë presion për administrim, por tani për tani nuk ka asnjë provë në këtë rast.

Efikasiteti i CoronaVac nga Kili

Diskutimi në lidhje me kohëzgjatjen e mbrojtjes, mund të ndryshojë, nga vaksina në vaksinë: është e mundur që imuniteti i shkaktuar nga vaksinat më pak efektive Covid, të zhduket më shpejt, por ne ende nuk e dimë.

Duke u kthyer te CoronaVac, ky mund të jetë çelësi për të kuptuar: efikasiteti i vaksinës kineze ka pasur analiza kontradiktore që e vendosin atë pak më shumë se 50% (në lidhje me luftën kundër infeksioneve).

Autoritetet shëndetësore kineze, të cilat kishin folur edhe për hipotezën e dozës së tretë, madje heterologjike (me vaksina të ndryshme), e kanë pranuar atë.

Studimi i fundit i publikuar në revistën “New England Journal of Medicine”, ka të bëjë me të dhënat nga Kili për një numër të madh njerëzish (mbi 10 milionë) dhe tregon një efikasitet të vaksinës prej 65.9% kundër infeksioneve, 87,5% kundër shtrimeve në spital, 90.3% kundër pranimeve në terapi intensive dhe 86.3% për parandalimin e vdekjes nga Covid-19.

Doza e tretë në disa shtete

Ndërkohë në fund të qershorit, Sinovac tashmë ka shpërndarë më shumë se 1 miliard doza të vaksinës CoronaVac, e cila ka qenë një mjet kryesor i vaksinimit në Kinë, Brazil, Indonezi dhe Kili.

Hipoteza e dozës së tretë, po diskutohet vazhdimisht dhe disa vende po ndërmarrin veprime. Turqia tashmë ka filluar të ofrojë një dozë të tretë të Sinovac (ose Pfizer) për disa njerëz.

Indonezia dhe Tajlanda kanë rënë dakord të administrojnë dozën e tretë të Moderna-s dhe Pfizer-it për disa njerëz të vaksinuar me CoronaVac, edhe për shkak se shumë studime të efikasitetit dhe kohëzgjatjes së imunitetit (si vaksina kineze për të cilën po flasim), nuk përfshijnë vlerësime në shfaqjen e varianteve të reja, si “Delta”.

Burimi: “Reuters”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë