Shkencë

Studim: Njerëzit e dhunshëm kanë tru më të vogël

Truri është një nga organet kryesore të organizmit tonë dhe sot e kësaj dite studimi i tij është akoma një burim zbulimesh ku çdo hap i vogël që bëjnë shkencëtarët në këtë drejtim është thelbësor.
Në lidhje me këtë, një grup studiuesish në Universitetin e Londres ka zbuluar se personat që janë antisocial, të dhunshëm dhe që shkelin vazhdimisht ligjin kanë tru më të vogël dhe shfaqin sjellje agresive që nga fëmijëria e hershme. Për të arritur në këtë rezultat, ato analizuan trurin e rreth 7000 njerëzve të moshës 45 vjeç, nga këto, një e treta kishte treguar shenja të sjelljes antisociale në të kaluarën.
Njerëzit e dhunshëm kanë tru më të vogël veçanërisht në zonat përgjegjëse për sjelljen dhe kontrollin e emocioneve. Për më tepër, u shqyrtuan të dhënat kriminale për secilin dhe sjelljet e tyre gjatë viteve të shkollës, si dhe u mblodhën mendime për këtë temë përmes stafit mësimor të kopshteve që ato kanë ndjekur.
Nga analiza e këtij informacioni,u identifikuan 80 të rritur me një farë prejardhje të sjelljes antisociale dhe dhunës fizike, të tilla si kafshimi i fëmijëve të tjerë gjatë orëve të shkollës dhe dhuna në familje si të rritur. Sidoqoftë, një fakt interesant është se ata që shkaktuan probleme vetëm në periudhën e adoleshencës, nuk paraqitën ndonjë ndryshim cerebral krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë.

Imazh ilustrues

Niveli i sjelljes antisociale i pjesëmarrësve u mat çdo dy vjet, duke filluar nga mosha 7 deri në moshën 26 vjeç duke ekzaminuar vetëkontrollin dhe marrëdhëniet me prindërit dhe mësuesit. Pastaj individët u ndoqën në moshë madhore dhe 80 prej tyre përjetuan sjellje antisociale "këmbëngulëse gjatë gjithë jetës". Në vend të kësaj, 151 shfaqën sjellje antisociale vetëm si adoleshentë dhe nga ana tjetër, 441 të tjerë nuk e shfaqën atë. Rezonanca magnetike u krye tek pjesëmarrësit në moshën 45 vjeç, mesatarisht në të gjithë trurin, ata që ishin antisocialë në moshë të rritur gjithashtu kishin një sipërfaqe më të vogël në 282 rajone të trurit nga 360 sesa ata që nuk kanë pasur kurrë një sjellje të tillë.
Autorët thonë se studimi ofron provat e para të forta për të sugjeruar se ndryshimet në tru janë të lidhura me sjelljen antisociale. Autorja kryesore e studimit, Christina Carlisi tha se gjetjet e tyre mbështesin idenë se, për një pjesë të vogël të individëve me sjellje të vazhdueshme antisociale gjatë gjithë jetës së tyre, mund të ketë ndryshime në strukturën e tyre të trurit që e bëjnë të vështirë për ta të zhvillojnë aftësi shoqërore.
Studiuesit pranuan që skanimet u kryen në moshën 45 vjeç dhe për këtë arsye është e paqartë nëse ndryshimet strukturore në tru ishin një shkak i sjelljes antisociale ose rezultat i një jete të trazuar të lidhur me krimin. Ata që kryejnë krime gjatë gjithë jetës së tyre mund të kenë tru më të vogël sepse në të njëjtën kohë ata përdorin drogë, pinë duhan, vuajnë nga një shëndet i dobët mendor ose mund të kenë një inteligjencë të ulët por për të qenë të sigurt për këtë duhet të presim për hulumtime të mëtejshme. Së fundmi, një fakt i rëndësishëm është se, ndryshe nga studimet e tjera, ky ka pasur një konsensus të gjerë në botën akademike, veçanërisht i mirëpritur nga studiuesit që nuk përfshihen në kërkime.
Burimi: Il Giornale. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë