Njerez

Studentja me bursë në UET: Protesta dhe e jona, pasojat i vuajmë të gjithë

Desara Ustia është studente e vitit të tretë, në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Europian të Tiranës dhe jo vetëm që i është bashkuar protestës së studentëve, por u ka bërë thirrje edhe kolegëve të saj të universitetit privat t’i bashkohen kërkesave të tyre që artikulohen çdo ditë në rrugën e Durrësit, përballë Ministrisë së Arsimit. “Nga një gjykim sipërfaqësor personal, por edhe i kolegëve të mi që studiojnë në institucione private, duket qartë se protesta e studentëve të shtetit nuk prek interesat direkt që kemi aktualisht”, thotë e reja, e cila sheh përtej kërkesave të para që parashtruan të rinjtë për heqjen e tarifave për provimet e mbajtura dhe uljen e tarifave vjetore të studimeve. “Por nëse e vendosim situatën në një plan afatgjatë, kauza e protestës kumbon në pasoja, të cilat do t’i vuajmë kolektivisht në të ardhmen, në rast se nuk veprojmë sot”, thotë Ustia, e cila tre vite më parë iu akordua bursa e studimit “Pashko”, në universitetin ku studion.

Një bursë, sqaron më tej studentja, ka synim mbulimin e tarifës së studimeve dhe njëkohësisht përballimin e shpenzimeve të jetesës. “ Duke qenë se një nga kriteret për të fituar këtë mbështetje është edhe ai i nivelit të ulët të të ardhurave të familjes”. Vala e optimizmit të studentëve, thotë ajo, ishte ngjitës, duke e bërë t’u bashkohej. Në ditën e gjashtë të protestës kanë qenë me dhjetëra studentët e universiteteve private, që iu bashkuan protestës.

“Kundërshtimi i vendosur për padrejtësitë, që u janë bërë studentëve përgjatë gjithë këtyre viteve, ka ndezur zemrat e të gjithë shqiptarëve me shpresën se, është pikërisht kjo koha në të cilin do të vijë një reformim i thellë i shtetit tonë.”


Duke iu referuar ligjit të vitit 2015 për arsimin, studentja thotë se ky i fundit, është një e mirë dhe përgjegjësi publike, që ka si mision të krijojë, të zhvillojë, dhe të përcjellë dijen përmes mësimdhënies. “Deri më sot faktet kanë vërtetuar që tentativat për të punuar mbi bazën e këtij misioni kanë mbetur në kuadrin e iniciativave të vakëta individuale nga subjektet që janë pjesë e këtij organizmi gjigand, pa mundur të thyejnë dot kllapinë shumëvjeçare.Me frikën e përvetësimit të kauzës studentore nga eksponentë të partive politike, Ustia, shton “Bashkimi i energjisë rinore në një qëllim të përbashkët, pa u kthyer në një instrument nga çetat e kuqe apo çdo forcë tjetër politike që do ta kapitalizojë protestën për interesat e vetë të ngushtë, duhet të jetë synimi i qartë i zërit të lirë studentor”, përfundon ndërsa u bën thirrje përfaqësuesve të qeverive studentore të universiteteve të tjera private, dhe jo vetëm, të solidarizohen, duke iu bashkuar protestës në ditën e shtatë të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë