Arsim

Studentët përballë provimeve online dhe në vështirësi ekonomike

Studentët e kanë pasur të vështirë qëndrimin në Tiranë, pas izolimit nga pandemia. Në hyrje të Qytet Studentit qëndrojnë disa vajza të cilat tregojnë për Gazetën “Si” se gjatë periudhës së karantinës ato kanë qenë në konvikt pasi nuk kishin shkëputje nga puna. Njëra prej vajzave, Learta, i tha Gazetës “Si” se për to ka qenë e vështirë mësimi online, për shkak të qasjes në internet. Atyre u është dashur të blejnë paketa të shumta për të ndjekur leksionet online.

Ndërsa të dhënat nga Qëndresa Qytetare tregojnë se pas fillimit të mësimit online, vetëm 72.8% e studentëve kanë mundur ta ndjekin mësimin online rregullisht, ndërsa 27.2% nuk e kanë ndjekur atë rregullisht. Kjo mungesë në qasjen e mësimit online bazuar edhe në përgjigjet e tjera lidhet drejtpërdrejt me qasjen e studentëve në internet.

Mësimi online nuk është ndjekur për të gjitha fakultetet; pasi disa prej tyre i kanë kthyer studentet në auditore, ndërsa disa fakultete do të kthejnë studentët në auditore vetëm për provime. Kjo gjendje ka qenë e vështirë për të gjithë studentët, por shqetësimi i tyre kryesor nuk ka qenë vetëm qasja në internet, por edhe shpenzimet ekonomike. Studentët i thanë Gazetës “Si” se për ta ka qenë e vështirë edhe për shpenzimet. Sipas tyre, Karta e Studentit nuk i ka minimizuar kostot, ndërkohë që të dhënat tregojnë se një pjesë e mirë e studentëve ende nuk e kanë këtë kartë. Sipas Qëndresës Qytetare, e cila ka monitoruar financat e universiteteve, këto institucione kanë shpenzuar 1.891.000 euro për pajisje dhe sisteme informatike por studentët vijojnë mësojnë në platforma virtuale private.

Qëndresa Qytetare ka treguar se studentët dhe familjet e tyre po jetojnë momente të vështira jetike dhe Ministria e Arsimit duhet të rivlerësojë tarifën dhe ndihmën për studentët: Rreth 33.8% e studentëve banojnë në shtëpi me qira, 59.4% në banesat e familjeve të tyre dhe vetëm 6.8% në konvikt. Rreth 54.7 % e studentëve nuk e dinë akoma se çfarë do të ndodhë me pagesën e tyre të qirasë. 30.2% e studentëve i mbulojnë vetë pjesërisht ose plotësisht shpenzimet për sigurimin e studimeve dhe jetesës, ndërsa 68.8% të studentëve shpenzimet ua mbulojnë familjet e tyre.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë