Arsim

Studentët e mjekësisë protestojnë në ambientet e rektoratit, bllokojnë zyrën e rektorit Gjata

Nga Gazeta Si - Studentët e mjekësisë kanë protestuar sot jo në Godinën e Kuqe e as në Ministrinë e Arsimit por para Rektoratit dhe në ambientet e brendshme të rektoratit.

Edhe pse më të paktë në numër, studentët e mjekësisë, pasi u mblodhën para rektoratit, vendosën të futeshin brenda, duke vënë postera dhe duke shkruar “Turp” apo “Duam përgjigje” në derën e rektorit Arben Gjata.

Një javë më parë, studentët e mjekësisë kanë bërë një kërkesë për rektorin Gjata duke i kërkuar mbështetjen e tij personale dhe të Universitetit për moszbatimin e ligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, mbështetjen e lëvizjes së tyre dhe marrjen e masave për të mos lejuar pedagogët të ushtrojnë presion të çdo forme ndaj studentëve me qëllim detyrimin për ndalimin e bojkotit.

Në letrën dërguar rektorit, studentët i dhanë afat deri ditën e sotme për një përgjigje dhe më pas premtuan se protestat do të përshkallëzoheshin, ashtu siç ndodhi sot ku studentët vandalizuan zyrën e rektorit.

“Në rast të një mosreagimi nga ana Juaj do të jemi të detyruar të intensifikojmë lëvizjen tonë me marrjen e masave përshkallëzuese”, shkruanin studentët në letër.

Edhe më herët studentët kanë thënë se protestat do të përshkallëzohen, duke menduar edhe ngujimin, në rast se nuk anulohet ligji apo nuk kanë një përgjigje nga Ministria e Arsimit apo rektorati i Universitetit të Mjekësisë.

Pas protestës së studentëve, rektori Gjata ka informuar se ditën e hënë do takojë një grup studentësh për të diskutuar.

“Të hënën në orën 08:30 kemi takim me rektorin Gjata. Presim një përgjigje positive prej tij. Nëse jo, do vazhdojmë me bojkotin”, thonë studentët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë