Arsim

Studentët duan të kthehen në auditorë. Pas peticionit Rakacolli jep vendimin

Gjatë ditëve të fundit studentët kanë ngritur një peticion në rrjete sociale për të hapur auditorët. Peticioni është dorëzuar disa ditë më parë në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkohë që studentët kanë zhvilluar sot një takim me zëvendësministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Një nga studentët që dorëzuan peticionin, Agred Tafaj, i tha Gazetës “Si” se në takimin e sotëm, zëvendësministrja ka thënë se do të ketë një përgjigje për studentët brenda javës tjetër, nëse do të hapen auditorët.

Agred Tafaj


Sipas studentit, realizimi i këtij peticioni erdhi pasi studentët kërkojnë hapjen e auditorëve dhe mendojnë se kjo gjë është tepër e nevojshme.
“Mendojmë që mësimi në auditorë për seminarë, praktika dhe laboratorë mund të realizohet në ambientet e fakulteteve nëse respektohen të gjitha masat anti-covid. Për sa kohë kemi të gjitha baret dhe restorantet të cilat mund të konsiderohen me plot gojë vende të rrezikshme për përhapjen e Covid-19, auditorët e fakulteteve mund të jenë hapësira të menaxhueshme nga studentët dhe profesorët që të arrihet mësimdhënia,” i tha Tafaj Gazetës “Si”.

Sipas të dhënave të raportuara në rrjete sociale studentët deri më tani kanë mbledhur rreth 8000 vota në peticion. Dje Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe Ministrja e Shëndetësisë, patën një mbledhje me ekspertët e Komitetit teknik, ku u vendos se auditorët do të ishin të mbyllur.
Ishte pikërisht, zëvendësministrja Rakacolli ajo që deklaroi se ky vendim erdhi pasi ka një rritje të incidencës të koronavirusit te moshat e reja gjatë dy javëve të fundit.

“Kjo rritje incidencës shoqëruar me një rritje incidencë të moshave 15-24 vjeçe. Pavarësisht se nuk kemi rritje të vdekjeve këta tregues flasin për një shtim të vëmendjes. Ndaj ne kemi vendosur që krahas masave për të vazhduar orën policore, për të vazhduar ndërprerjen e fluturimeve me Britaninë e Madhe, ne menduam dhe vijimin e mësimit për studentët online,” tha një ditë më parë Rakacolli.
Ndërkaq ekspertët i shohin edhe konviktet si vatra të sëmundjeve dhe lëvizja e studentëve nga vendet e tjera për në Tiranë, do të bënte që infeksioni të shpërndahej më shpesh. Ndërsa për Ministren e Arsimit, Kushi vendimi për hapjen e auditorëve mbetet në dorë të Komitetit të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë