Kinema

Streha mes Reve: Robert Budina dhe realizmi magjik në kinemanë shqiptare


Intervistoi Suadela Balliu - Në kalanë e Shkodrës, prej shekullit të 15-të, ekziston një kishë-xhami, e cila thuhej se përdorej gjashtë ditë të javës nga besimtarët myslimane dhe një ditë në javë nga besimtarët katolikë... Ishte kjo rrëfenjë e lidhur me Kishën e Shën Stefanit, shndërruar më vonë në Xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut, që e tundonte prej kohësh regjisorin, i cili më 2015-ën, teksa xhironte në Luginën e Valbonës filmin “Burrnesha”, pati sërish ngasjen e asaj rrëfenje për ta shndërruar në një film artistik me metrazh të gjatë. “Historitë e zonës dhe natyra e Luginës së Valbonës dhe Dragobisë, që duken si shtëpia e zotit, më grishën fantazinë të shkruaja një histori që kalonte kufijtë kombëtarë dhe kishte një stil të veçantë rrëfimi kinematografik”, rrëfen regjisori Robert Budina, ndërsa filmi i tij më i ri “Streha mes reve” është përzgjedhur në edicionin e 22-të të Festivalit të Filmit “Black Nights”, në Talin të Estonisë, një prej festivaleve më prestigjiozë në Europë dhe botë.

“Doja të realizoja një film intim, personal të realizmit magjik në kufijtë e përrallës,  ku koha ka ndaluar dhe historia jonë mund të ketë ndodhur, ndodh, ose do të ndodhë

Regjisori Robert Budina 

Angazhimi i tij i patundur me lëvizjen kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ku së bashku me regjisorë e aktorë të tjerë të skenës dhe kinemasë nuk ka ndalur në protestat e thuajse të përditshme për muaj me radhë, nuk e ka penguar regjisorin që në të njëjtën kohë të merrej edhe me detajet e fundit të këtij filmi që sheh  si protagonist aktorin e njohur Arben Bajraktaraj. Historia ka në qendër të saj Besnikun, një bari dhe besimtar i devotshëm ndërsa regjisori shpalos marrëdhënien që ai ka me komunitetin, familjen, dashurinë, besimin në zot dhe natyrën.

“Doja të realizoja një film intim, personal të realizmit magjik në kufijtë e përrallës, ku koha ka ndaluar dhe historia jonë mund të ketë ndodhur, ndodh, ose do të ndodhë”, rrëfen Budina ndërsa shton se vizioni i tij regjisorial nuk kishte  qëllim realizmin e një filmi mbi bashkëjetesën fetare apo me bazë historike. “Doja që filmi të kishte një qasje universale që i kalon kufijtë kombëtarë dhe gjithkush mund të identifikohet me personazhin kryesor duke e përqendruar në botën e tij të brendshme dhe jo përkatësinë sociale.

Ç’do të thotë ky festival për filmin, për ju si regjisor, por edhe për kinematografinë shqiptare?

Për kinematografinë shqiptare, sa më shumë filma shqiptarë të marrin pjesë në festivale të kategorisë  “A”, aq më shumë rriten shanset që Shqipëria të tërheqë vëmendjen e bashkëprodhuesve ndërkombëtarë të investohen në kinemanë shqiptare, duke rritur cilësinë e saj, duke e shpërndarë atë në botë, por edhe duke rritur punësimin e kineastëve shqiptarë, pra ka një ndikim direkt qoftë në cilësinë artistike, por gjithashtu edhe në fushën ekonomike, duke ulur papunësinë dhe zhvilluar biznesin lokal shqiptar. Për më tepër e afron shumë filmin shqiptar afër festivaleve top; Berlin, Kanë, Venecia. Jam i bindur që nëse vazhdohet në këtë rrugë kjo ditë nuk do të vonojë.Për momentin duket se kinemaja jonë po përjeton një moment të mirë, pasi edhe filmi i  mikut tim të kursit dhe kolegut Bujar Alimani “Delegacioni” është përzgjedhur në një tjetër festival të kategorisë “A”, në Varshavë,  që është në të njëjtin nivel me Talin. Shpresoj që dy filmat tanë të jenë një ogur i mirë për të ardhmen e kinemasë shqiptare.

Keni zgjedhur temën e bashkëjetesës fetare, një fenomen sa lokal, aq edhe universal, duke qenë se besimet fetare u kanë dhënë formë shoqërive njerëzore. Si erdhi ky skenar dhe çfarë ju nxiti ta shkruanit?

Gjithmonë kam qenë i tunduar nga një histori e veçantë që ka ndodhur dikur:Në kalanë e Shkodrës, ka ekzistuar që në shekullin e 15-të një kishë-xhami e cila përdorej gjashtë ditë në javë nga besimtarët myslimanë dhe një ditë në javë nga besimtarët katolikë.  Ajo ishte kisha e Shёn Stefanit e cila u shndërrua nga Perandoria Osmane nё Xhaminё e Sulltan Mehmet Fatihut, por me kërkesën e besimtarëve muslimanë,  Veziri i Shkodrёs Mehemet Pashё Bushatlliu, i lejoi edhe besimtaret katolikë qё pёr njё ditё nё javё, tё kryenin shërbesat e tyre fetare nё Xhami.Unё nga origjina i pёrkas besimit ortodoks, ndërsa bashkëshortja ime, producentja e kёtij filmi (Sabina Kodra), i pёrket besimit mysliman. Pavarësisht se ne nuk jemi praktikantë të feve tona respektive, dy fëmijët tanë kur u rritën, një ditë na pyetën se cilës fe i pёrkasin ata.

Përveç përcjelljes së panoramës së bashkëjetesës fetare, a sillni një këndvështrim, ndoshta edhe më të shtresëzuar, të kompleksitetit që vjen nga fanatizmi fetar?

Kjo ishte fillesa e idesё, pёr ta rizgjuar edhe njëherë tundimin për të realizuar një film mbi këtë temë. Por unë nuk doja assesi të realizoja një film mbi fenë e aq më pak historik. Në historinë e vonë të Shqipërisë shfaqet regjimi komunist, i cili shkatërroi pjesёn mё tё madhe tё vёndeve tё kultit, burgosi dhe vrau përfaqësuesit e klerit, duke u pёrpjekur tё shkatёrrojё memorien fetare tё vendit dhe ta zëvendёsojё atё me “fenё” e vet komuniste. Pra unë doja ta shfrytëzoja historinë e hershme dhe të vonë të Shqipërisë, e cila në të dyja rastet është shumë e veçantë, për të  realizuar një film i cili i flet një audience shumë të gjerë botërore. Por nuk doja gjithashtu assesi të bëja një film mbi bashkëjetesën e veçantë fetare apo traumat që la sistemi komunist në Shqipëri....Doja të bëja një film personal, intim, subjektiv mbi raportet e individit me komunitetin,  familjen, fenë, dashurinë, zotin dhe natyrën. Doja që ndjesitë e tij t’i përcillja përmes imazhit, poezisë së natyrës, zhurmave, muzikës dhe jo përmes konfliktit apo dialogut. Doja që spektatori të futej në botën e tij natyrshëm, të jetonte dhimbjet e tij dhe t’i dukej sikur Besnikun e ka njohur edhe përpara se ta shohë filmin. Doja që filmi të kishte një qasje universale që i kalon kufijtë kombëtare dhe gjithkush mund të identifikohet me personazhin kryesor duke e përqendruar në botën e tij të brendshme dhe jo përkatësinë sociale.

Si ka qenë rrugëtimi i filmit nga skenari te post-produksioni dhe tani pjesëmarrja në festivale ndërkombëtarë?

Ideja për të shkruar filmin “Streha mes reve” mori trajtën e konkretizimit në periudhën kur xhironim filmin italian ”Burrnesha” në Valbonë, i cili u shfaq në Berlinale,  në vitin 2015. Idenë time ia  tregova një bashkëproducenti zviceran të filmit “Burrnesha”, i cili ngeli i mahnitur nga gjetja. Kjo më shtyu të hidhja skicën e parë të idesë. Më pas ia treguam atë një distributori gjerman,  i cili më nxiti të shkruaja skenarin dhe më asistoi gjatë që ai të kishte sukses. Sot ai është distributori ndërkombëtar i filmit. Më pas siguruam financimet nga Shqipëria –QKK  e RTSH –dhe Rumania,  bashkëprodhuesi DIGITAL CUBE,  ku bëmë postprodukionin e filmit derisa mbërritëm në Talin,  nën kujdesin e distributorit ndërkombëtar PLUTO FILM.

Aktorët Arben Bajraktaraj dhe Esela Pysqyli

Po aktorin  Arben Bajraktaraj,  e kishit në mend qëkur shkruat skenarin si personazhi i Besnikut apo bëtë audicion për ta përzgjedhur? Duket një personazh shumë kompleks, me probleme të shëndetit mendor – çështje sërish pak e prekur dhe e stigmatizuar në vendin tonë – e përndjek një dashuri e parealizuar, mysliman i devotshëm, me një nënë katolike...

Përzgjedhja e Arben Bajraktarajt ishte thuajse e detyrueshme,  sepse ai i plotësonte qoftë fizikisht,  por edhe si origjinë,  kërkesat e mia për personazhin, mos flasim pastaj për aftësitë e tij profesionale që i ka vërtetuar gjatë në një treg të gjerë ndërkombëtar. Por qershia mbi tortë ishte që Arbeni,  në fëmijërinë e tij,  kish qenë realisht një bari kur jetonte në Kosovë para se të emigronte jashtë vendit. Nuk bëra kinoprova për ketë personazh sepse isha shumë i bindur që Arbeni ishte zgjedhja e duhur.

Pse keni zgjedhur që ngjarjet të zhvillohen në një fshat të largët mes malesh? Në fakt, duket se peizazhi e depërton edhe më thellë ndjesinë e vetmisë tek protagonisti...

Kjo ngjarje nuk mund të ndodhte veç mes malesh dhe natyrës së vërtetë, virgjërisë, bukurisë, pastërtisë, qetësisë, aty ku e ka origjinën njeriu dhe ku ka lindur historia e tij. Kjo zgjedhje më ndihmonte të realizoja idenë fillestare që ngjarjet ndodhin në një kohë pa kohë, por edhe për të lëshuar klithmën, që me gjithë zhvillimin frenetik të njerëzimit dhe teknologjisë, ne kemi nevojë jetësore të kthehemi tek natyra nga ku lindëm, për të kuptuar se çfarë po humbim duke u larguar prej saj. Pra dëshira ime ishte të përcillja përmes filmit një prelud për natyrën e veçantë të vendit tim dhe historisë së filmit që kanë një lidhje të ngushtë mes tyre. Përgjatë kohës që vizitonim vendet e xhirimit me Marius Panduru,  drejtorin rumun të fotografisë, ai më shfaqi dyshimet se mos një natyrë e tillë ishte tepër piktoreske për filmin tonë, por pasi kontrolluam të gjithë zonën dhe dëgjoi historitë reale të banorëve lidhur me besimet e ndryshme fetare, kuptoi që ky ishte habitati natyral i kësaj historie. Dhe në fund më tha: - Robert këtu edhe sikur ta hedhësh kamerën në ajër, kudo që ajo të bjerë nuk mund t’ia fshehë dot mrekullinë kësaj natyre.Vetëm aty, mes atyre maleve dhe asaj natyre mund të kuptosh personazhin dhe shpirtin e Besnikut. Në asnjë vend  tjetër ai nuk do të mund të merrte forcën që përcjell në film.

Babai i Besnikut është një ish-komunist, si e shihni raportin që shoqëria jonë ka me të shkuarën, diktaturën, liritë e shprehjes, lirinë e besimit fetar? Çfarë përcjell ky film?

Filmi ynë rrëfen historinë e Besnikut, një bariu, besimtar i devotshëm musliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë. Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë. Në të ri të tij, Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij.

Skenë nga filmi "Streha mes Reve"

Pas Festivalit të Talinit, si do të jetë rrugëtimi i filmit dhe cilat janë ambiciet tuaja?

Ambicia jonë është që filmi të shkojë në sa më shumë festivale, të shfaqet në kinematë e sa më shumë vendeve dhe të shitet në sa më shumë territore ndërkombëtare.

Kur do të shfaqet filmi për publikun shqiptar?

Premiera e filmit “Streha mes reve” do të jetë më datë 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe shpresoj që kjo datë të na sjellë fat, jo vetëm neve, por edhe kinemas shqiptare, e cila duket se po kalon një periudhë të mirë pasi edhe filmi i mikut tim të kursit dhe kolegut Bujar Alimani, “Delegacioni”, është përzgjedhur në Festivalin e Filmit në Varshavë, i cili është edhe ai në të njëjtën listë si festivali i Talinit. I uroj edhe ekipit të filmit “Delegacioni” sa më shumë sukses në arenën ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë