Arsim

Strategjia 5-vjeçare e Arsimit do të kushtojë 415 milionë euro

Strategjia 5-vjeçare për Arsimin (2021-2026) e cila detajon edhe programet edhe orientimet që do të ketë kjo fushë në vazhdim pritet që t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 415 milionë euro nëse materializohet.

Sipas variantit të parë i cili është përmbyllur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit , nga kostoja totale për zbatimin e Strategjisë që është 51.54 miliardë lekë, 36.23 miliardë (70.3%) janë parashikuar për Arsimin Parauniversitar, 135.04 milionë (0.3%) për Menaxhimin e Sistemit të Arsimit dhe 15.17 miliardë (29.8%) për Arsimin e Lartë.

Dokumenti ka përcaktuar 4 objektiva shumë të rëndësishme për arsimin universitar.

Së pari është që të sigurohet përfshirja e plotë në klasën përgatitore dhe në arsimin e detyrueshëm, si dhe të  rritet aksesi në arsimin parashkollor dhe të mesëm të lartë nëpërmjet krijimit të kushteve të përshtatshme infrastrukturore dhe mjediseve shkollore miqësore.

Së dyti krijimi i mundësive për formimin cilësor të mësuesve dhe përmirësimi i sistemit të karrierës që i inkurajon ata të zhvillojnë nivele më të larta të aftësive për mësimdhënie.

Së treti është  zbatimi i plotë i kurrikulës së bazuar në kompetenca nëpërmjet mësimdhënies efektive dhe shfrytëzimit të burimeve të cilësisë së lartë.

Së katërti është zhvillimi i kompetencës digjitale nëpërmjet shfrytëzimit më të mirë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për mësimdhënie dhe të mësuarit.

Për arsimin e lartë janë parashikuar të paktën shtatë objektiva duke nisur nga rritja e cilësisë së arsimit të lartë nëpërmjet riorganizimit të programeve të studimit, modernizimi i  infrastrukturës akademike dhe aplikimi i standardeve të larta të vlerësimit institucional dhe të programeve të studimit.

Më pas vijohet me nxitjen e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, ndërlidhja më e mirë e arsimit të lartë me tregun e punës si dhe sigurimi i integritetit akademik, transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e arsimit të lartë.

Ndër të tjera përfshihet edhe përmirësimi i statusit socio-ekonomik të studentëve nëpërmjet ofrimit të shërbimeve cilësore dhe formave të ndryshme të ndihmës financiare apo ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë në Shqipëri dhe integrimi në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë (EHEA).

 Në fund është edhe avancimi i infrastrukturës së TIK-ut dhe i shërbimeve digjitale për IAL-të publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë