Taksa

Strategjia 2022-2026/ Tatimi për biznesin e vogël do të ndryshojë

Në strategjinë afatmesme të periudhës 2022-2026 nga Ministria e Financave dhe Ekonomise, listohen disa ndryshime në përfshirjen fiskale të bizneseve në vend ndër të cilat është edhe taksimi i biznesit të vogël. Në dokumentin e MFE-së synohet krijimi i një skeme me pagë fikse vjetore për të ardhurat deri në 1 milion lekë.

Ndërsa për tatimpaguesit, të cilët aktualisht janë të përjashtuar nga tatimi nëse kanë të ardhura deri 14 milion lekë në vit, nuk paguajnë tatim mbi fitimin neto, sugjerohet që për tatimpaguesit me të ardhura deri 8 milion lekë në vit, të prezantohet një regjim tatimor i thjeshtuar bazuar në aplikimin e një tarife 2-4% mbi të ardhurat bruto dhe jo të taksohen mbi fitimin neto. 

Në fakt këto janë sugjerime të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e cila ka asistuar në hartimin e kësaj strategjie që pritet të vihet në zbatim në 3 vitet e ardhshme pasi doli për konsultim pak ditë më parë.

Gjatë dy viteve të fundit, ndryshimet në sistemin tatimor kanë qenë të shpeshta. Sipas raporteve botërore kjo ka sjellë destabilitet dhe shumë paqartësi tek tatimpaguesit.

Janarin e vitit 2021 u vendos tatimi 0% për bizneset që qarkullojnë deri në 14 milionë lekë në vit, nga 5% që e kishin pak vite më parë. Pragu i detyrimit të tatimit mbi vlerën e shtuar nga 2 milion qarkullim vjetor u rrit në 10 milion.

Në fund të muajit shkurt, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikuan Drejtorinë e Tatimeve në vend për paaftësinë e kontrollove në terren dhe mungesën e deklarimeve nga tatim paguesit. Gjithashtu bënë thirrje që të monitorohen të vetëpunësuarit, përfshirë edhe fermerët, pasi sipas autoriteteve botërore, aty ka evazion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë