Futboll

Strategët Pioli dhe Spaleti përballen sot në Champions, Real Madrid pret Çelsin

Gazeta Si – Liga e Kampionëve ofron sot në mbrëmje të tjera emocione. Në ‘Meazza’ luhet derbi italian mes Milanit dhe Napolit, përballja e tretë sezonale e kampionëve në fuqi të Serisë A dhe pasardhësve të tyre. Real Madrid pret Çelsin.

Pioli kundër Spaletit është një ndeshje brenda ndeshjes. Disa ditë më parë trajneri i Milanit bëri një kryevepër në Napoli. Kohë më parë trajneri i Napolit arriti një fitore në kampionat ndaj Milanit dhe më pas do të triumfonte bindshëm. Pra, është edhe një përballje strategësh kjo sfidë.

Nga nje ndeshje mes Milanit dhe Napolit ne kampionat. Gazeta Si, 12 prill 2023

Championsi është një tjetër muzikë, të dyja skuadrat kërkojnë gjysmëfinalen për shumë arsye. Spaleti nuk ka sërish sulmuesin kryesor, Viktor Osimhen, ndërsa Pioli kërkon të njëjtin Milan si 10 ditë më parë. Favorit për sulmin e Napolit është Raspadori, por mund të aktivizohet edhe Elmas. Milani bazohet te dyshet Hernandez-Leao nga njëri krah dhe Kalabria-Diaz në tjetrën.

Në sfidën tjetër, Real Madrid niset favorit ndaj Çelsit, jo vetëm se ia di mirë sekretet Championsit, por edhe për faktin se kundërshtari vjen në një moment jo të mirë. Anglezët kanë bërë shpenzime pa fund dhe kanë ndryshuar disa herë trajner, por nuk kanë gjetur në asnjë moment ekipin fitues. Tashmë Çelsi udhëhiqet nga Frenk Lampard.

Për Realin komentet janë të teparta. Kemi hyrë në periudhën kur skuadra e Ançelotit bëhet vërtet e frikshme dhe kur bëhet fjalë për Championsin madrilenët sikur karikohen dyfish. Benzema me shokë janë gati të ‘kafshojnë’ në çdo moment.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë