Futboll

Strakosha hidhet në të ardhmen e Lacios, rinovim deri në 2025-ën

“Gazzetta dello Sport” duket se i ka marrë me radhë futbollistët shqiptarë të Serisë A. Pas artikullit të djeshëm për Marash Kumbullën, sot i ka kushtuar vëmendje portierit të Lacios, Tomas Strakoshës, i cili është pranë rinovimit të kontratës me klubin, ku është bërë i njohur.

“E ardhmja e Lacios është në duar të sigurta, në ato të Tomas Strakoshës. Portieri shqiptar është pranë rinovimit të kontratës me klubin bardhekaltër, ku është rritur, për t’u bërë titullar në moshën 21-vjeçare. Tani është një nga pikat kyçe të Lacios dhe klubi dëshiron të firmosë një marrëveshje të re me portierin deri në vitin 2025. Pas tre kupash të fituara me Lacion, tani synon edhe titullin kampion në Serinë A”, - shkruan gazeta prestigjioze italiane.

Artikulli i "Gazzetta dello Sport" për Tomas Strakoshën. Gazeta Si, 9 prill 2020

Në fakt, ka pasur një ngërç në lidhje me rinovimin e kontratës së Strakoshës sa i takon anës financiare. Portieri kuqezi fiton 1.2 milionë euro me kontratën aktuale dhe kuptohet që për kontratën e re duhet rritur oferta financiare. Lacio i ofron Strakoshës 1.5 milionë milionë euro në sezon, ndërsa pretendimet e 25-vjeçarit janë për 2 milionë euro. Megjithatë, në Itali janë të bindur se palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët, aq më tepër kur në mes janë drejtori Igli Tare dhe trajneri Simone Inzagi, të cilët e kanë mbështetur gjithmonë portierin shqiptar.

Tomas Strakosha ka qenë sezonet e fundit një nga portierët më të kërkuar në treg, sidomos nga klubet angleze, ku veçohen Liverpuli dhe Totenhemi, por edhe nga Gjermania ka pasur interesim konkret për “gardianin” kuqezi. Lacio është e vendosur ta mbajë më gjatë portierin për të fituar të tjerë trofe bashkë me të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë